Kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi se dyshimi i parë i institucioneve pas gjetjes së mbetjeve mortore në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ishte se ato mund t’i përkasin 23 intelektualëve nga Mitrovica, që ishin rrëmbyer dhe zhdukur më 19 prill 1999.
Ai tha para mediave, se gërmimet në Zubin Potok lënë të nënkuptohet se bëhet fjalë për një varrezë masive në Kalludër. Ndërsa shtoi se për gjetjet duhet pritur konfirmimin e organeve kompetente.
“Dyshimi ynë i menjëhershëm kur kemi marrë vesh se janë gjetur mbetje mortore, natyrisht ka qenë se bëhet fjalë për grupin e intelektualëve, 23 sosh, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën dhunshëm më 19 prill të vitit 1999, pra grupi i intelektualëve në Mitrovicë. Ne nuk mund ta konfirmojmë që bëhet fjalë për ta, por ky ka qenë dyshimi ynë i menjëhershëm, sidoqoftë, duhet t’i presim organet tona që të na tregojnë se për çfarë bëhet fjalë atje, por duket që kemi një varrezë masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, që është një komunë në veri të Ibrit, që ka qenë zonë e pashqyrtuar më herët, pra bëhet fjalë për një territor të paprekur prej gërmimeve”, tha Kurti.
Ndryshe, në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut janë gjetur mbetje mortore dhe veshmbathje, që dyshohet se iu përkasin 23 intelektualëve të zhdukur të Mitrovicës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim për identifikimin e viktimave dhe dokumentimin e plotë të rastit. Ndërkaq, të hënën, Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar lidhur me zhdukjen e 23 intelektualëveelektualëve.
