Asambleja Komunale e Fushë Kosovës ka miratuar buxhetin e Komunës për vitin 2027, në vlerë prej 29.4 milionë eurosh, ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Valon Prebreza.
Përmes një postimi në Facebook, Prebreza ka njoftuar se mbi 11.4 milionë euro nga buxheti i vitit të ardhshëm janë të dedikuara për investime kapitale.
“Ky buxhet parasheh investime në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, ujësjellës e kanalizim, kulturë, sport, rini dhe hapësira publike, në qytet dhe në të gjitha vendbanimet tona”, ka shkruar Prebreza.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se Qeveria ka miratuar kërkesën e Komunës së Fushë Kosovës për bartjen e pronave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në pronësi të komunës.
Sipas Prebrezës, kjo përbën një hap që krijon mundësi të reja për realizimin e projekteve dhe investimeve në komunë.
“Qeveria miratoi kërkesën e Komunës së Fushë Kosovës për bartjen e pronave të AKP-së në pronësi të Komunës, një hap i rëndësishëm që krijon mundësi të reja për projekte dhe investime në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar ai.
Në fund, kryetari Prebreza ka thënë se komuna do të vazhdojë punën për zhvillimin e Fushë Kosovës dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët.
“Vazhdojmë me përkushtim për një Fushë-Kosovë më të zhvilluar dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë!”, ka shkruar Prebreza. /Telegrafi/