Franca do të jetë një nga favoritët kryesorë për titullin në Kupën e Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë, por edhe vendi që “dhuron” më së shumti pjesëmarrës në turneun më të madh në historinë e futbollit.
Përzgjedhësit e 48 përfaqësueseve kishin të drejtë të regjistronin nga 26 lojtarë, pra gjithsej 1.248 futbollistë. Prej tyre, plot 98 janë të lindur në Francë, që do të thotë se praktikisht çdo i 13-ti pjesëmarrës i Botërorit ka lindur në territorin e “gjelave”.
Numri më i madh, natyrisht, është te vetë Franca: 23 lojtarë. Megjithatë, edhe brenda listës së “trikolorëve” ka disa raste të veçanta.
Portieri rezervë Brice Samba, ka ardhur në Francë si fëmijë nga Kongo, ndërsa Marcus Thuram ka lindur në Parma të Italisë, ku luante babi i tij.
Një nga emrat më të përfolur të ekipit, Michael Olise, ka lindur në Hammersmith të Londrës. Babai i tij është britanik me origjinë nigeriane, nëna algjeriane nga Franca, por ai ka zgjedhur të veshë fanellën franceze.
Përveç këtyre, në Evropë nuk ka lindur as portieri i parë Mike Maignan, por në Cayenne të Guajanës Franceze. Megjithatë, Guajana Franceze është territor francez përtej detit, ashtu si Guadeloupe, Martinique, Mayotte dhe Réunion, ndaj edhe këto konsiderohen pjesë e Francës në kuptimin administrativ.
Ajo që e bën edhe më interesante këtë statistikë është shpërndarja e futbollistëve të lindur në Francë në përfaqësuese të tjera.
Për Algjerinë luajnë saktësisht 13 futbollistë të lindur në Francë, pra gjysma e ekipit, ndërsa Haiti do t’i ketë 12, Kongo 11, Senegali 10, Bregu i Fildishtë tetë, Tunizia shtatë dhe Maroku gjashtë.
Kepi i Gjelbër dhe Gana kanë nga tre lojtarë të lindur në Francë, ndërsa edhe Egjipti ka një të tillë.
Shembull simbolik i këtij fenomeni është edhe kapiteni i Algjerisë, Riyad Mahrez, i lindur në Clichy, i cili megjithatë ka zgjedhur ta përfaqësojë vendin e origjinës së familjes së tij.
Në këtë mënyrë, Franca jo vetëm që hyn në Botëror me një skuadër të mbushur me talent, por vazhdon të jetë edhe “fabrika” më e madhe e lojtarëve që përbëjnë kombëtare të ndryshme në skenën më të madhe të futbollit botëror. /Telegrafi/
