Një burrë në Massachusetts, i cili fitoi 1 milion dollarë në lotarinë amerikane, është arrestuar nga agjentët e emigracionit (ICE), vetëm pak ditë pasi pozoi për një fotografi me çekun gjigant të fitimit.
Bëhet fjalë për Ariel Antonio Velasquez-Morales, shtetas nga El Salvadori, ndaj të cilit ekzistonte një urdhër përfundimtar dëbimi që prej vitit 2014. Sipas raportimeve të Fox News, ai u vu në pranga të martën nga agjentët e ICE, shkruan TMZ, transmeton IndeksOnline.
Vetëm pak ditë para arrestimit, më 21 nëntor, Velasquez-Morales kishte pozuar me çekun prej 1 milion dollarësh, të cilin e fitoi përmes Lotarisë Shtetërore të Massachusetts. Ai kishte treguar se biletën gërvishtëse, me vlerë 10 dollarë, e kishte blerë në një dyqan në lagjen East Boston.
Ironikisht, pikërisht në të njëjtën lagje ai u arrestua nga agjentët e emigracionit. Sipas raportimeve, arrestimi ndodhi pas një ndjekjeje të shkurtër në këmbë, gjatë së cilës agjentët arritën ta kapnin.
Rasti ka tërhequr vëmendje edhe për faktin se në Massachusetts nuk është e nevojshme të kesh status të rregullt emigracioni apo leje qëndrimi për të marrë pjesë në lotari. Mjafton që bileta të blihet fizikisht brenda territorit të shtetit.

