Për herë të parë në historinë e Ligës së Kampionëve, finalja do të shndërrohet në një duel taktik mes dy trajnerëve spanjollë.
Paris Saint-Germain i Luis Enriques, kampion në fuqi i Evropës, do të përballet me Arsenalin e Mikel Artetës në “Puskas Arena”, në një finale që premton jo vetëm spektakël në fushë, por edhe një betejë strategjike në bankinë.
Një përballje e tillë është jashtëzakonisht e rrallë në historinë e kompeticionit. Më herët, finale me trajnerë nga e njëjta kombësi janë zhvilluar vetëm katër herë: Brian Clough kundër Bob Houghton (Angli, 1979), Carlo Ancelotti kundër Marcello Lippi (Itali, 2003), si dhe dy herë me trajnerë gjermanë – Jupp Heynckes kundër Jurgen Klopp (2013) dhe Thomas Tuchel kundër Hansi Flick (2020).
Tani, për herë të parë, lista pasurohet edhe me një finale “spanjolle”.
Finalja e 30 majit në Budapest e vë në qendër të vëmendjes edhe ndikimin e madh të shkollës spanjolle të trajningut në futbollin modern.
Luis Enrique e udhëhoqi PSG-në sezonin e kaluar drejt një triplete historike, duke e konfirmuar ekipin parisien si një superfuqi të re të kontinentit.
Në anën tjetër, Mikel Arteta e ka rikthyer Arsenalin në elitën europiane, duke i dhënë fund pritjes së gjatë të londinezëve për një paraqitje në një finale të madhe evropiane.
Ky duel nuk është vetëm një përballje emrash, por edhe filozofish.
Luis Enrique njihet për intensitetin e lartë, kontrollin e topit dhe presionin agresiv, ndërsa Arteta, i formuar në një ambient modern taktik, ka ndërtuar një Arsenal të disiplinuar, me organizim të fortë dhe fleksibilitet në fazat e lojës.
Përplasja e tyre pritet të jetë një “lojë shahu” në nivelin më të lartë./Telegrafi/