Qendërmbrojtësi i Kosovës, Andi Hoti, është liruar nga grumbullimi i Kombëtares së Kosovës pas lëndimit të pësuar në seancën stërvitore të zhvilluar dje (e enjte).
Pas ekzaminimeve të kryera nga stafi mjekësor i Dardanëve, është konstatuar se futbollisti i Eintracht Braunschweig ka pësuar pëlkim të nyjës talokrurale, dëmtim që pritet ta mbajë jashtë fushës për disa javë.
Për pasojë, mbrojtësi kosovar nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda për dy ndeshjet miqësore të këtij grumbullimi.
Ndërkohë, Kombëtarja e Kosovës do të vazhdojë sot (e premte) përgatitjet me seancën e radhës stërvitore, e cila do të mbahet nga ora 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Dardanët nesër (e shtunë) do të udhëtojnë drejt Pragës, ku të dielën do të zhvillojnë ndeshjen miqësore ndaj Çekisë. /Telegrafi/
