Koln, metropoli historik i Gjermanisë ka mirëpritur për herë të parë “Shqip Up Comedy”, festivalin më të madh të ‘stand up’ komedisë që tash e katër vjet bën bashkë të gjithë shqiptarët në Cyrih të Zvicrës.
Në ambientet e qendrës kulturore ‘Eltzhof’, u krijua një natë e paharrueshme, me një publik të jashtëzakonshëm nga diaspora si dhe me praninë e disa figurave të famshme.
Festivali, i realizuar për herë të parë në Gjermani nga organizatorët Ridvan Murati, Alban Hamza e Ali Salihu, solli performanca të aktorëve të njohur në mbarë trojet shqiptare dhe jo vetëm.
“Stand Up Festival” në KolnFoto: Telegrafi/Floriana Alija
Telegrafi ishte i pranishëm për të ndjekur nga afër gjithë mbrëmjen, nga përgatitjet deri te atmosfera elektrizuese në sallë, ku publiku u largua i kënaqur pas një nate të mbushur me të qeshura dhe energji pozitive.
Ata që i dhanë ‘zjarr’ e të qeshura pafund skenës e publikut këtë herë ishin: Avni Shkodra, Ernest Zymberi, Gent Hazizi, Drilona Musa e Luani.
“Stand Up Festival” në KolnFoto: Telegrafi/Floriana Alija
Aktori Avni Shkodra e ka përshkruar ‘stand up’ si një zhanër që ka të mirat dhe të këqijat e tij, por që në fund të jep një lloj çlirimi e disponimi të mirë.
Avni ShkodraFoto: Telegrafi/Floriana Alija
“Stand up është zhanër sa i mirë aq edhe i vështirë, aq i pranueshëm kur bëhet mirë për shkak se është direkt nuk ka ndonjë komplikim që të mos kuptohet, gjithmonë i ka mesazhet e veta, thumbimet e veta, çlirimin shpirtëror, kur njerëzit e përcjellin një stand up comedy të mirë përjetojnë katarsis çlirim shpirtëror dhe i mban njerëzit me disponim të mirë dhe pse jo të mundohen të krijojnë sa më shumë ngjarje të bukura të tilla artistike, sa më shumë me dhënë edukatë, kulturë, emancipim por edhe njerëzit të çlirohen se në kohën kur po jetojmë janë të ngarkuar dhe mezi presin të shohin komedi, me qesh”, ka thënë ai për Telegrafin.
Ndërkohë aktori tjetër Ernest Zymberi tha se publiku ka qenë tejet i mirë dhe një mbrëmje fantastike.
Ernest ZymberiFoto: Telegrafi/Floriana Alija
“A ju thashë që kanë me qesh, para se me ja nis kjo. Po bëj shaka, por fantastik. Publiku ka qenë tepër i mirë. Për ne nuk është me rëndësi emri i qytetit a vijmë në Gjermani a ku vijmë, ne me rëndësi është që jemi shqiptarë, nuk është me rëndësi a jemi të Kosovës a të Shqipërisë, ne e pamë shumë mirë se si na kanë pritur të gjithëve edhe Gentin që është i Shqipërisë, këtu ka njerëz prej të gjitha trojeve shqiptare edhe komedia na bashkon, humori na bashkon”.
“E kemi shijuar edhe ne, por e kanë shijuar edhe këta për shkak se është edicioni i parë edhe janë njohur pak me zhanrin me artistët por besoj që ishte fantastike si natë”, shtoi ndër tjerash.
E për Gent Hazizin kjo ishte edhe hera e parë që ndodhej në Gjermani, ndonëse përvoja me publikun ka qenë e ngrohtë.
Gent HaziziFoto: Telegrafi/ Floriana Alija
“Unë jam hera e parë në Gjermani edhe si individ, për herë të parë kam ardhur në Gjermani dhe për herë të parë edhe te festivali këtu në Koln. Një organizim fantastik, publiku ishte shumë i ngrohtë, shumë i mirë. Unë nuk e kam problem kudo që të shkoj sepse shqip flasim, është publik shqiptar. E shoh si është publiku dhe mendoj materialin që do të bëjë. Dua t’i prek njerëzit aty ku kanë qejf të preken, familja, marrëdhëniet familjare kështu që e kanë qejf”, tha Hazizi.
Për Drilona Musën, që njihet më shumë për paraqitjet interesante dhe pa filtra në TikTok, ishte hera e parë në këtë festival, por që pati një pritje shumë të mirë nga publiku.
Drilona MusaFoto: Telegrafi/Floriana Alija
“Hera e parë siç the ti në Shqip Up Festival, vetëm një herë tjetër më ka rënë të bëj shaka para një publiku më të madh, zakonisht në telefon po e dini ju. Tepër mirë jam ndjerë, jam frikësuar goxha shumë, jam dridhur goxha shumë, ama publiku ka qenë shumë i mirë, më ka pritur shumë mirë edhe kur të pret publiku shumë mirë të jep energji edhe më shumë”, deklaron Musa për Telegrafin.
Luani nga ana tjetër u shfaq me një performancë ndryshe nga aktorët e tjerë, në gjuhën gjermane, për t’iu përshtatur të pranishmëve që jetojnë dhe veprojnë në Gjermani.
LuaniFoto: Telegrafi/Floriana Alija
Ai theksoi: “Ka qenë një shou shumë fantazi, ka qenë shumë mirë. Publiku kanë qenë shumë të dashur edhe unë kam kaluar shumë mirë. Tani kam bërë stand up comedy 80 për qind gjermanisht 20 për qind shqip por më merr mendja që i ka pëlqyer të gjithëve, e keni dëgjuar edhe vetë publiku, jam shumë i kënaqur, edhe po jam i lumtur”.
Themeluesi dhe drejtori i “Shqip Up Comedy”, Ridvan Murati, tha për Telegrafin se ka ngelur i befasuar nga pritja që iu bë në Gjermani.
Ridvan MuratiFoto: Telegrafi/Floriana Alija
“Është hera e pestë thuajse e përgjithshme, në Cyrih këtë vit e kemi pesë vjetorin ne për herë të parë kemi dalë jashtë vendit, Zvicrës në Gjermani dhe unë jam jashtëzakonisht i befasuar prej këtij publiku, prej njerëzve që kanë ardhur, prej të qeshurave, prej aktorëve që kanë qenë fenomenal edhe po vërehet në fytyrat e të gjithëve që e kanë kaluar një natë shumë të mirë e kjo më bën më së shumti të lumtur kur i shoh që njerëzit po dalin me fytyra të qeshura jashtë sallës”.
Ai tregon po ashtu se nuk do të ndalet me kaq pasi “Shqip Up” do të jetë i pranishëm edhe në vende të tjera.
“Qëllimi ynë është të shkojmë edhe të paktën në tri shtete të tjera që është Austria, Vjena, Londër në Angli dhe në New York Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nëse i arrijmë këto qëllime jemi në pesë shtete dhe do të jetë gjashtë herë gjatë vitit do të thotë, çdo dy muaj por nëse e shohim që njerëzit kanë edhe interes pse të mos arrijmë edhe më shumë nëpër qytete tjera”.
Organizatori në Koln të Gjermanisë, Ali Salihu, nënvizoi se në këtë pjesë nuk mungojnë aktivitetet kulturore, por që festivali në fjalë ka ecur mjaft mirë dhe se ia ka vlejtur e gjithë puna.
Ali SalihuFoto: Telegrafi/Floriana Alija
“Në këtë pjesë të Gjermanisë ashtu kështu nuk mungojnë aktivitetet kulturore të komunitetit tonë, ka aktivitete nga më të ndryshmet, por ideja që të organizojmë diçka edhe këtu në Gjermani pas sukseseve disa vjeçare në Zvicër u duk interesant, nga fillimi është vërejtur se ka interesim, salla ishte plot, reagimet e mysafirëve tani disa minuta pas shfaqjes janë shumë të mira, do të thotë kemi qenë të motivuar, ka shkuar gjithçka shumë mirë po them tani pas shfaqjes ia ka vlejtur që të bëjmë gjithë atë punë. E kam përshtypjen si artistët, si mysafirët po edhe ne si organizatorë jemi të gjithë të kënaqur”.
Organizatori Alban Hamza po ashtu ndan detaje për gjithë eventin, vështirësitë që kanë hasur e po ashtu edhe për shpërblimin që morën në fund me rezultatin brilant.
Alban HamzaFoto: Telegrafi/Floriana Alija
“Nuk e kemi pritur por organizimi i çdo fillimi nuk është i lehtë, por tani duke u bazuar që ne e kemi vetëm katër edicione që i kemi bërë në Zvicër, mund të themi që kemi bërë një përvojë edhe jemi duke e shfrytëzuar atë përvojë për gjëra të mira, por jo gjithçka ka qenë perfektë për neve, se kemi bërë gabime gjithë kohën edhe në Cyrih por kemi mësuar prej secilit gabim, edhe tani në Koln e kemi shfrytëzuar atë përvojë, i kemi mënjanuar ndoshta edhe gabimet që kemi bërë herën e fundit, por megjithatë kur është hera e parë për një publik të ri, për një lokacion krejt të ri, jemi të gatshëm dhe mendojmë që mund të kemi sfida”.
“Kemi pasur sfida në organizim në radhë të parë për shkak që largësia e ka bërë të veten, por sot komunikimi është shumë i lehtë për shkak të teknologjisë që ka arritur edhe kemi arritur të bëjmë po kthehemi prapë në atë konstatimin tënd po pajtohem që kemi arritur të bëjmë diçka shumë të mirë, ose të paktën ne po shpresojmë, po kemi dëshirë të themi ashtu. Po tani reagimet qenë shumë të mira, pritjet shumë të mira, mjaftojnë ato reagime të publikut, kështu që lirisht mund të them që ia ka vlejtur çdo sekondë i yni që e kemi investuar në këtë organizim”, tha krejt në fund.
Krahas kësaj u bë e ditur se “Shqip Up” në fund të këtij viti do të jetë edhe në Frankfurt të Gjermanisë.
Bardh VeseliFoto: Telegrafi/Floriana Alija
“Për momentin absolutisht ruajeni datën 5 dhjetor në Frankfurt dhe të gjitha detajet e tjera do t’i transmetojmë me kohë”, zbuloi Bardh Veseli për Telegrafin.
Foto: Telegrafi/Floriana Alija
Kjo mbrëmje dëshmoi edhe një herë se humori dhe arti kanë fuqinë të bashkojnë shqiptarët kudo që ndodhen. /Telegrafi/