Ka nisur pastrimi i Kanalit Derivues të Liqenit të Radoniqit, ku mbikëqyrësit po largojnë mbeturinat, pemët dhe pengesat e tjera që mund të pengojnë rrjedhën e lirë të ujit.
Sipas KRU “Gjakova”, kjo është një punë e rregullt që realizohet çdo vit, veçanërisht para fillimit të sezonit të reshjeve dhe rritjes së prurjeve të ujit.
Muhamet Lama, shef i digës së Liqenit të Radoniqit, ka theksuar se pastrimi i kanalit është i rëndësishëm për të siguruar funksionimin e duhur të tij dhe për të shmangur pengesat në përcjelljen e ujit.
Kanali Derivues, i cili është rreth 7.5 kilometra i gjatë, përcjell ujin nga Lumbardhi i Deçanit drejt Liqenit të Radoniqit.
Ky liqen ka rëndësi të veçantë për furnizimin me ujë të pijshëm, pasi shërben për rreth 200 mijë konsumatorë në Gjakovë, Rahovec dhe një pjesë të Prizrenit.
Pastrimi dhe mirëmbajtja e rregullt e kanalit janë thelbësore për të siguruar rrjedhën e papenguar të ujit dhe për të mbështetur furnizimin e qëndrueshëm me ujë për konsumatorët. /Telegrafi/

