Me mbështetje teknike nga Bashkimi Evropian, Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale ka përfunduar me sukses Studimin e parë gjithëpërfshirës për Hidrogjenin në Maqedoni, një dokument strategjik që hap rrugën drejt ekonomisë së ardhshme të hidrogjenit dhe e pozicionon shtetin si pjesë të së ardhmes energjetike evropiane.
“Studimi është hartuar me ndihmë teknike të financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA II, në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe Instrumentit për Projektet e Infrastrukturës 10 (IPF10), si pjesë e projektit për ndërlidhjen e gazit natyror ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë.
Ky është dokumenti i parë kombëtar që analizon në mënyrë gjithëpërfshirëse mundësitë për prodhimin, transportin, ruajtjen dhe përdorimin e hidrogjenit të gjelbër, si një nga energjentët kryesorë të së ardhmes, në sektorët e energjetikës, industrisë, transportit dhe sistemeve të ngrohjes qendrore.Studimi konfirmon se Maqedonia ka potencial real për të zhvilluar gradualisht një ekonomi të hidrogjenit dhe për t’u bërë pjesë aktive e infrastrukturës së ardhshme evropiane të hidrogjenit. Në dokument theksohet se shteti, së bashku me Serbinë dhe Greqinë, ka një pozitë strategjike në kuadër të Rrjetit Panevropian të Hidrogjenit dhe European Hydrogen Backbone, rrjeti i ardhshëm evropian për transportin ndërkufitar të hidrogjenit të pastër.
Veçanërisht e rëndësishme është se interkoneksioni i ri i gazit me Greqinë, ndërtimi i të cilit është në zhvillim, është projektuar për transportin e 100% hidrogjenit. Gjithashtu, sipas dokumentacionit të tenderit për përzgjedhjen e projektuesit dhe zbatuesit të interkoneksionit të ardhshëm të gazit me Serbinë, është paraparë që edhe ai të jetë plotësisht i përgatitur për transportin e 100% hidrogjenit. Në këtë mënyrë, të dy interkoneksionet do të përbëjnë segmente kyçe të shtyllës kombëtare të ardhshme të hidrogjenit dhe do të kontribuojnë në integrimin rajonal në tregun evropian të hidrogjenit”, njoftojnë nga Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale.
Nga atje shtojnë se me hartimin e këtij studimi, Maqedonia renditet ndër vendet e pakta në rajon që tashmë disponojnë një dokument strategjik për zhvillimin e sektorit të hidrogjenit, gjë që përbën një përparësi të rëndësishme në procesin e tranzicionit energjetik dhe harmonizimit me politikat evropiane./Telegrafi/
