Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka sfiduar Qeverinë që të publikojë listën e 800 kilometrave rrugë, për të cilat kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se janë ndërtuar gjatë mandatit të tij qeverisës.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka kërkuar që të bëhet e ditur se cilat rrugë janë ndërtuar, sa kilometra ka secila, kur kanë përfunduar dhe kush i ka financuar.
Ajo ka kritikuar raportin e Qeverisë, duke pretenduar se projektet e papërfunduara janë paraqitur si kursime, ndërsa investimet e planifikuara si të arritura.
Në këtë kontekst, Bajrami ka përmendur 150 milionë eurot e paraqitura si kursime për rrugën Kijevë–Zahaq, duke thënë se ato lidhen me anulimin e shpronësimeve, ndërsa ka ngritur pikëpyetje për përfundimin e këtij projekti.
Po ashtu, ajo ka kritikuar përmendjen e 200 milionë eurove për hekurudhën Hani i Elezit–Leshak si investime të parapara, duke vënë në pikëpyetje paraqitjen e tyre si sukses të Qeverisë.
Bajrami është ndalur edhe te 51.5 milionë eurot e përmendura për 19 kontrata të mirëmbajtjes së rrugëve. Ajo ka kritikuar gjendjen e rrugëve gjatë reshjeve të borës, duke pretenduar se në shumë prej tyre nuk po vërehen ekipet e pastrimit.
Në fund, deputetja e LDK-së ka kërkuar nga Qeveria që të publikojë të dhënat për secilën rrugë, në mënyrë që të bëhet dallimi mes projekteve të financuara nga niveli qendror, atyre të bashkëfinancuara dhe investimeve të realizuara nga komunat. /Lajmi.net/

