Organizata EC Ma Ndryshe ka reaguar ndaj ndërhyrjes së fundit artistike të realizuar në Kejin pranë Urës së Arastës në Prizren, duke shprehur shqetësimin për faktin se ajo është kryer mbi një mural ekzistues të realizuar gjatë vitit 2024 me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe në bashkëpunim me artistë lokalë, institucione dhe organizata të shoqërisë civile.
Në reagimin e saj, organizata thekson se murali i mëparshëm ishte produkt i një procesi të gjerë konsultativ dhe profesional, me synimin për të paraqitur në mënyrë bashkëkohore historinë, trashëgiminë kulturore dhe karakterin multikulturor të Prizrenit.
“Murali ekzistues në këtë hapësirë publike ishte rezultat i një procesi të gjerë konsultativ dhe profesional. Përzgjedhja e konceptit artistik ishte bërë me synimin që në këtë pjesë të qytetit të paraqitej një interpretim bashkëkohor i historisë, trashëgimisë kulturore dhe karakterit multikulturor të Prizrenit”, thuhet në reagim.
EC Ma Ndryshe, e cila kishte kontribuar në procesin e konsultimit publik për realizimin e muralit, vlerëson se çdo ndërhyrje e mëvonshme duhej të trajtohej me kujdes të veçantë dhe në përputhje me procedurat përkatëse.
“Çdo ndërhyrje e mëvonshme mbi muralin ekzistues duhej të trajtohej me kujdes të veçantë, duke respektuar jo vetëm procedurat institucionale, por edhe integritetin e konceptit artistik dhe punën krijuese të autorëve të tij”, thekson organizata.
Megjithëse mbështet përdorimin e artit publik për ngritjen e vetëdijes qytetare dhe adresimin e çështjeve me interes publik, EC Ma Ndryshe sqaron se shqetësimi nuk lidhet me mesazhin e veprës së re, por me mënyrën e realizimit të saj.
“Shqetësimi në këtë rast nuk lidhet me përmbajtjen e mesazhit të intervenimit të ri, por me mënyrën se si ai është realizuar, pra përmes ndërhyrjes mbi një vepër ekzistuese artistike”, thuhet më tej.
Sipas organizatës, respektimi i një kauze të drejtë nuk duhet të bëhet në dëm të një vepre tjetër artistike dhe as duke anashkaluar kontributin e autorëve që kanë punuar më herët në atë hapësirë.
“Respektimi i një kauze të drejtë nuk duhet të bëhet duke cenuar një vepër tjetër artistike dhe as duke shpërfillur punën krijuese të autorëve që kanë kontribuar më herët në atë hapësirë”, thekson reagimi.
EC Ma Ndryshe ka bërë të ditur se është njoftuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren se për muralin e ri është lëshuar pëlqim institucional. Megjithatë, organizata vë në pah se në kushtet e pëlqimit thuhet se vendimi për lokacionin konkret të ndërhyrjes i është lënë parashtruesit të kërkesës, përkatësisht Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit.
“Kjo nënkupton se vendimmarrja për përzgjedhjen e sipërfaqes konkrete ku do të realizohej ndërhyrja artistike nuk është përcaktuar nga institucioni i trashëgimisë kulturore, duke ngritur nevojën për sqarime shtesë lidhur me arsyetimin e përzgjedhjes së muralit ekzistues si hapësirë për intervenim”, përfundon reagimi i EC Ma Ndryshe.
Debati vjen në kohën kur çështjet që lidhen me menaxhimin e hapësirave publike dhe ruajtjen e veprave artistike në Qendrën Historike të Prizrenit po marrin vëmendje të shtuar nga institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile. /Telegrafi/
