Ylli i Liverpoolit, Mohamed Salah, ka folur për periudhën e tij te Chelsea nën drejtimin e Jose Mourinhos, duke theksuar se vazhdon të ketë respekt të madh për trajnerin portugez, pavarësisht se koha e tij në “Stamford Bridge” nuk shkoi siç kishte shpresuar.
Salah bëri debutimin në Ligën Premier nën urdhrat e Mourinhos në vitin 2014, por nuk arriti të sigurojë minuta të rregullta, duke regjistruar vetëm 13 paraqitje në kampionat, para se të largohej drejt futbollit italian.
Fillimisht, egjiptiani iu bashkua Fiorentinës në formë huazimi, më pas e ringriti karrierën te Roma, derisa fitoi transferimin e madh te Liverpooli në vitin 2017 – ku u shndërrua në një nga sulmuesit më të mëdhenj në historinë e Ligës Premier.
Duke kujtuar largimin nga Chelsea, Salah tregoi se marrëdhënia e tij me Mourinhon sot është e mirë dhe se nuk ka asnjë ndjenjë negative ndaj tij.
“E mbaj mend që pata një bisedë me Jose dhe ai është një njeri i mrekullueshëm. E dua. Një nga trajnerët më të mirë që kam pasur në jetën time dhe marrëdhënia jonë është e mirë tani. Nuk dua që njerëzit të mendojnë se unë e urrej apo diçka të tillë”.
“Jo, unë e dua. Ai më tha se do që të qëndroj, ose të shkoj diku në huazim dhe të kthehem, por të qëndroj në Mbretërinë e Bashkuar sepse më dëshiron. Unë i thashë jo, sepse e shihja veten larg tani.
Kishte shumë presion mbi mua. Doja të shkoja në Itali. Doja të luaja atje dhe nuk doja të shkoja në huazim e të kthehesha te një klub”, shtoi sulmuesi egjiptian.
Ndërkohë, Salah ka konfirmuar se do të largohet nga Liverpooli gjatë verës./Telegrafi/