Dy persona kanë humbur jetën pasi një “mini-uragan” solli përmbytje të rënda në një rajon turistik të Spanjës.
Një burrë u konfirmua i vdekur pasi një mur u shemb në qytetin Tordera, në rajonin e Katalonjës, deklaroi të dielën lideri katalanas Salvador Illa, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Një person tjetër vdiq në zonën e afërt të Montornès del Vallès, njoftuan zjarrfikësit, ndërsa shërbimet e urgjencës po kërkojnë ende një person të zhdukur në Pineda de Mar, një qytet 52 km në veri të Barcelonës.
Autoritetet katalanase lëshuan një alarm të kuq dhe u kërkuan njerëzve të qëndronin brenda nga ora 20:00 e së djeshmes deri në orën 14:00 të ditës së sotme, pasi një “mini-uragan” mund të godiste rajonin verilindor, me parashikime për reshje të tjera të dendura shiu.
Shtëpi u përmbytën dhe makina mbetën të zhytura në ujë në Bellvitge dhe Cornella, pranë Barcelonës, pas reshjeve të rrëmbyeshme të djeshme.
Atje u panë rosa duke notuar në pellgje të mëdha uji që ishin krijuar në autostradat e Barcelonës.
Ndërkohë, niveli i ujit te lumi Besòs në Sant Adrià de Besòs është rritur me shpejtësi, duke arritur deri te ura hekurudhore dhe duke marrë me vete mbeturina e degë pemësh.
Sarai Sarroca, drejtoresha e shërbimit rajonal të motit “Meteocat”, tha dje se një “mini-uragan” mund të lëvizte mbi tokë në Katalonjë.
Fluturimet u anuluan ose u vonuan në Aeroportin e Barcelonës, raportuan dje mediat lokale.
Qarkullimi i të gjithë trenave lokalë u ndërpre për shkak të vërshimeve; dyqanet u mbyllën më herët, ndeshjet e futbollit u anuluan dhe shfaqja e operës “Aida” e Verdit në teatrin “Liceu” të Barcelonës u anulua gjithashtu.
Ndërkohë, të premten në mbrëmje, një grua 102-vjeçare u konfirmua e vdekur dhe 90 persona u desh të shpëtoheshin pas përmbytjeve të menjëhershme në Madrigueras.
Gruaja u gjet pa jetë brenda shtëpisë së saj në këtë qytet, i cili ndodhet rreth 190 kilometra në veriperëndim të Alikantes.
Thuhet se uji i përmbytjes brenda banesës kishte arritur një lartësi prej më shumë se 90 centimetrash.
Pamjet dhe fotot nga policia treguan katastrofën e shkaktuar nga moti, me makina të grumbulluara njëra mbi tjetrën në qendër të qytetit.
Spanja lëshoi paralajmërimin më të lartë të mundshëm për motin të premten dhe u tha njerëzve të qëndronin brenda, ndërsa stuhitë kërcënuan vendet e njohura të pushimeve në bregdetin lindor të vendit.
Banorët shikonin të pafuqishëm nga ballkonet e kateve të sipërme, ndërsa rrugët u shndërruan në lumenj dhe makinat u morën me vete nga uji i përmbytjes.
E forca policore shtoi në një paralajmërim për vendasit dhe vizitorët: “Shmangni udhëtimet e panevojshme dhe mos kaloni zonat e përmbytura”.
Kryeministri Pedro Sanchez e përsëriti këtë të dielën dhe situata në Katalonjë mbeti “shumë e komplikuar”.
Ai u bëri thirrje vendasve të “shmangin udhëtimet jo thelbësore” dhe të ndjekin udhëzimet e dhëna nga shërbimet e emergjencës, duke përsëritur këshillat e dhëna nga udhëheqësi rajonal i Katalonjës, Salvador Illa. /Telegrafi/