Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona janë identifikuar dhe gjobitur për ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura në Malishevë.
Sipas Policisë, më 8 shtator 2026, Stacioni Policor në Malishevë ka pranuar informacione për dy raste të ndezjes së zjarreve.
Rasti i parë është raportuar rreth orës 19:05 në rrugën “William Walker”, ndërsa rasti i dytë rreth orës 20:30 në rrugën “Skënderbeu”.
Njësitë sektoriale të Stacionit Policor në Malishevë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe kanë arritur t’i identifikojnë personat përgjegjës.
Policia ka bërë të ditur se përveç rrezikimit të hapësirave përreth, ndezja e zjarreve ka shkaktuar edhe ndotje të ambientit.
Ndaj të dy personave janë ndërmarrë masat përkatëse ligjore, ndërsa secilit prej tyre i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 euro.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka apeluar te qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga ndezja e zjarreve në hapësira të hapura, veçanërisht në zona ku një veprim i tillë mund të paraqesë rrezik për pronën dhe mjedisin. /Telegrafi/