Rocco Vata, djali i ish-kapitenit të Shqipërisë, Rudi Vata, ishte në anën e kundërt të Kosovës në ndeshjen e së martës, ku Irlanda triumfoi me rezultat 3-0.
Futbollisti i Watfordit, i cili ka zgjedhur ta përfaqësojë Irlandën, zbuloi se gjatë ndeshjes kishte pasur edhe shkëmbime fjalësh me lojtarët kosovarë.
I lindur në Glasgow, Vata e kupton shumë mirë shqipen dhe ishte në gjendje të dëgjonte gjithçka që i thuhej në fushë.
“Më thanë: ‘Ti je shqiptar’ dhe pastaj më shanë. Unë u përgjigja: ‘Po, s'ka problem’. Njëri prej tyre kërkoi falje pas ndeshjes, gjë që ishte e bukur”, deklaroi 21-vjeçari.
Vata, i cili u aktivizua në minutat e fundit, falënderoi edhe trajnerin Heimir Hallgrímsson për besimin e dhënë, sidomos pas një periudhe të vështirë me lëndime në nivel klubesh. /Zëri

