Inteligjenca artificiale po ndryshon me shpejtësi industrinë e automobilave, ndërsa edhe dizajnerët mund të përballen me rrezikun e humbjes së vendeve të punës.
Karl Neuhold, drejtues i dizajnit të jashtëm në markën Skoda të Grupit Volkswagen, ka pranuar se është befasuar nga aftësitë e avancuara të teknologjisë AI.
Ai tregoi se i përdor vetë këto mjete në punën e tij dhe se rezultatet janë mbresëlënëse.
Sipas tij, një skicë e thjeshtë mund të shndërrohet brenda pak sekondash në disa versione digjitale, të cilat do të ishte e vështirë të realizoheshin më mirë edhe nga vetë dizajnerët.
Programet moderne mund të krijojnë pamje realiste të veturave, duke përfshirë hijet, reflektimet dhe ambientin përreth.
Megjithatë, Neuhold paralajmëron se kjo rritje e efikasitetit mund të bëjë që kompanitë e automobilave të kenë nevojë për më pak dizajnerë në të ardhmen.
Kështu, ndërsa inteligjenca artificiale po bëhet një ndihmë e fuqishme për krijuesit, ajo mund të shndërrohet njëkohësisht në një sfidë serioze për profesionin e tyre. /Telegrafi/

