Rruga e Spanjës drejt finales së Kupës së Botës 2026 nuk kalon vetëm përmes një ndeshjeje, por përmes një prove të madhe ndaj Francës, skuadrës që ka impresionuar më së shumti në këtë turne.
E pamposhtur deri më tani, me sulmin më efikas të Botërorit dhe me një arsenal yjesh në çdo repart, skuadra e Didier Deschamps konsiderohet pengesa më e madhe për “La Rojën”.
Sipas një analize të publikuar nga Marca, Spanja duhet të kapërcejë “dhjetë etapa”, të krahasuara me ngjitjet e vështira të Tour de France, për të siguruar një vend në finale.
1. Sulmi nga krahët
Etapa e parë është të shfrytëzohen hapësirat në krahët e mbrojtjes franceze.
Lucas Digne ka hasur vështirësi në duelet një kundër një gjatë turneut, ndërsa në anën tjetër Jules Koundé do të përballet me sfidën e ndaljes së Lamine Yamalit. Vetë Koundé ka pranuar se Spanja nuk mbështetet vetëm te një lojtar.
“Nuk po mendojmë vetëm për Lamine Yamalin. Spanja ka shumë futbollistë që mund të krijojnë probleme”, deklaroi ai.
Nëse Lamine Yamal dhe Nico Williams arrijnë t’i detyrojnë mbrojtësit francezë të luajnë pranë zonës së tyre, Spanja mund të krijojë avantazh.
2. Dominimi i posedimit
Franca nuk e ka problem të luajë pa top, por nuk ndihet rehat kur detyrohet ta ndjekë atë për periudha të gjata.
Pedri, Rodri, Dani Olmo dhe Fabián Ruiz do të kenë detyrën të kontrollojnë ritmin e ndeshjes dhe ta mbajnë lojën në gjysmën franceze.
Spanja kryeson Botërorin për posedimin e topit, me një mesatare prej 60 për qind, ndërsa është edhe ndër skuadrat që e rikuperojnë më shpejt topin pas humbjes së tij.
3. Të mos humbet ekuilibri
Çdo gabim kundër Francës mund të ndëshkohet menjëherë.
Mbappé, Dembélé, Olise dhe Doué janë ndër lojtarët më të rrezikshëm në kundërsulme, duke kaluar nga mbrojtja në sulm me vetëm pak pasime.
Luis de la Fuente ka insistuar gjatë gjithë turneut që skuadra të sulmojë gjithmonë me ekuilibër, pasi një humbje topi mund të jetë fatale.
4. Mbrojtja franceze
Përpara se të mendosh për golin, duhet të kalosh murin mbrojtës të Francës.
William Saliba dhe Dayot Upamecano kanë formuar një nga dyshet më solide të qendërmbrojtësve në turne, duke kombinuar forcën fizike, shpejtësinë dhe dominimin në ajër.
Përveç kësaj, Franca ushtron presion të madh menjëherë pas humbjes së topit.
“Ndoshta nuk flitet mjaftueshëm për presionin tonë pas humbjes së posedimit, sepse stili ynë sulmues tërheq gjithë vëmendjen”, ka deklaruar Ibrahima Konaté.
5. Rreziku i quajtur Michael Olise
Nëse Mbappé është finalizuesi, Michael Olise është organizatori i lojës franceze.
Mesfushori i Bayern Munich është asistuesi më i mirë i turneut dhe lojtari që krijon më shumë raste për skuadrën e Deschamps.
Ai lëviz mes vijave, futet në qendër dhe shpërndan pasime që çajnë mbrojtjet kundërshtare.
Thierry Henry madje i ka krahasuar pasimet e tij me ato të legjendës së NFL-së, Tom Brady.
6. Dembele, “Topi i Artë” i heshtur
Edhe pse Mbappé merr pjesën më të madhe të vëmendjes, Ousmane Dembélé po zhvillon një Botëror të jashtëzakonshëm.
Me pesë gola, disa asistime dhe ndikim të vazhdueshëm në lojën sulmuese, fituesi aktual i Topit të Artë është bërë një nga armët më të rrezikshme të Francës.
Nga kampi francez ai cilësohet si një “lider i heshtur”, por ndikimi i tij në fushë është i madh.
7. Sulmi më efikas i turneut
Askush nuk ka shënuar më shumë se Franca në këtë Botëror.
Skuadra e Didier Deschamps ka realizuar 16 gola dhe ka një mesatare prej më shumë se 2.5 golash për ndeshje.
Me mbi 100 goditje drejt portës dhe një efikasitet prej rreth 15 për qind, francezët kanë treguar se nuk kanë nevojë për shumë raste për të ndëshkuar kundërshtarët.
8. Përqendrim deri në fund
Një nga cilësitë më të mëdha të Francës është aftësia për ta fituar ndeshjen edhe kur duket se nuk e kontrollon atë.
Një rikuperim topi, një sprint i Mbappés, një pasim i Olises apo një moment magjik i Dembélés mund të ndryshojnë gjithçka brenda pak sekondash.
“Nuk kemi gjithmonë nevojë ta kemi topin për ta kontrolluar ndeshjen”, ka thënë Deschamps.
Për këtë arsye, Spanja duhet të ruajë përqendrimin nga minuta e parë deri te fishkëllima e fundit.
9. Shpejtësia shkatërruese
Franca është skuadra më e rrezikshme në tranzicion.
Mbappé ka regjistruar shpejtësinë më të lartë të këtij Botërori, 37.6 kilometra në orë, ndërsa Dembélé, Doué, Olise dhe Koné e bëjnë çdo kundërsulm jashtëzakonisht të rrezikshëm.
Nëse Spanja luan me mbrojtjen lart, Laporte dhe Cubarsí do të duhet të jenë të pagabueshëm në mbulimin e hapësirave.
10. Pengesa më e madhe quhet Kylian Mbappé
E gjithë rruga të çon te sfida më e madhe.
Kylian Mbappé mbërrin në gjysmëfinale si bashkëgolashënuesi më i mirë i turneut së bashku me Lionel Messin dhe si lideri absolut i Francës.
Ai nuk ka nevojë të prekë topin shumë herë për ta vendosur fatin e një ndeshjeje. Një shpërthim shpejtësie, një depërtim apo një goditje e vetme mund të mjaftojnë.
“Duhet të jap shembull për ekipin, veçanërisht nga ana emocionale, sepse jam lojtari me më shumë përvojë në Kupat e Botës”, ka deklaruar Mbappé.
Spanja mund të kontrollojë posedimin, të fitojë betejën në mesfushë dhe të minimizojë gabimet. Por, nëse dëshiron të arrijë në finalen e Kupës së Botës, do t’i duhet të kapërcejë pengesën më të madhe të këtij turneu – Kylian Mbappén. /Telegrafi/
