Gresa Krasniqi, vajza e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shprehur shqetësimin e saj pas një bisede telefonike me të atin, i cili është dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gresa ka treguar se gjatë telefonatës, babai i saj i ka thënë se kishte refuzuar kontrollin nga disa mjekë dhe se nuk do të pranonte më kujdes mjekësor nga institucionet atje.
Sipas saj, Krasniqi ka shprehur pakënaqësi me trajtimin që, sipas tij, po i bëhet në Hagë, duke pretenduar se i janë mohuar të drejtat njerëzore.
“Para një muaji, Babi u dënua me 25 vjet burgim. Sot, gjatë një telefonate, më tha: ‘Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, natyrisht që i refuzova. Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre’”, ka shkruar ajo, duke cituar bisedën me të atin.
Gresa ka thënë se kjo deklaratë e ka shqetësuar, veçanërisht për shkak të moshës së babait të saj dhe nevojës që ai të marrë kujdesin e duhur shëndetësor.
Ajo ka shprehur dilemat e saj për mënyrën se si mund ta bindë të atin të pranojë kujdesin mjekësor nga institucionet ndaj të cilave ai, sipas saj, ka humbur besimin.
“Si mund t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre institucioneve, kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte?”, ka shkruar Gresa.
Ajo ka shtuar se është ndier e pafuqishme përballë situatës, ndërsa ka shprehur dashurinë dhe mbështetjen për të atin.
“Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm”, ka shkruar ajo.
Në fund të reagimit të saj, Gresa e ka cilësuar dënimin e të atit si padrejtësi, duke shprehur kundërshtimin ndaj vendimit të Gjykatës Speciale. /Lajmi.net/

