Arsenal dhe Liverpool janë ndarë në barazim pa gola në përballjen e javës së 21-të të Ligës Premier, në një ndeshje të fortë dhe me ritëm të lartë, por ku mungoi finalizimi.
Skuadra e Mikel Artetës ishte më kërkuese gjatë pjesës së parë dhe dominoi posedimin e topit, duke krijuar disa raste të pastra shënimi.
Bukayo Saka dhe Declan Rice testuan disa herë portierin Alisson, i cili u tregua vendimtar me pritje të shkëlqyera, veçanërisht në minutën e 44-të, kur ndali një goditje të fortë nga Rice nga distanca. Arsenali kërcënoi edhe nga krahët me Timber dhe Trossard, por mbrojtja e Liverpoolit rezistoi.
Në anën tjetër, Liverpooli u bë më i rrezikshëm me kalimin e minutave. Rasti më i mirë për “The Reds” erdhi në minutën e 27-të, kur Conor Bradley goditi shtyllën pas një topi të kthyer në zonë.
Dominik Szoboszlai provoi disa herë nga distanca dhe nga goditjet e dënimit, por pa arritur ta gjejë rrugën e rrjetës.
Pjesa e dytë u karakterizua nga luftë e fortë në mesfushë, ritëm i lartë dhe ndërprerje të shpeshta, por pa raste të pastra goli.
Në fund, të dy skuadrat u pajtuan me nga një pikë. Pas këtij rezultati, Arsenali mbetet në krye të tabelës me 49 pikë, ndërsa Liverpooli renditet në vendin e katërt me 35 pikë. /Telegrafi/