Manchester City është përfshirë në një krizë që tashmë po tejkalon kufijtë e futbollit, pasi Emiratet e Bashkuara Arabe raportohet se i kanë dërguar një paralajmërim qeverisë britanike lidhur me pasojat e mundshme të një dënimi të rëndë ndaj klubit.
Sipas raportimeve të bazuara në informacione të publikuara nga Bloomberg, zyrtarë nga Emiratet i kanë paralajmëruar autoritetet britanike se marrëdhëniet mes dy shteteve mund të pësojnë nëse Manchester City përballet me sanksione të ashpra për shkeljet financiare.
Një komision i pavarur e ka shpallur Manchester Cityn fajtor për 114 nga 115 shkeljet e rregullave financiare të Ligws Premier. Klubi i ka mohuar akuzat dhe ka dorëzuar apel kundër vendimit të komisionit. Sanksioni përfundimtar ende nuk është përcaktuar.
Çështja ka marrë përmasa më të mëdha për shkak të lidhjeve mes klubit dhe Emirateve. Manchester City është në pronësi të Abu Dhabi United Group (ADUG), ndërsa pronari i grupit, Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan, është zëvendëspresident dhe zëvendëskryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe pjesëtar i familjes mbretërore.
Sipas raportimeve, shqetësimi i palës emiratase lidhet jo vetëm me vetë Manchester Cityn, por edhe me investimet e ardhshme në Mbretërinë e Bashkuar. Marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve përfshijnë investime të mëdha emiratase në sektorë si mbrojtja, teknologjia dhe shkencat e jetës.
Në qendër të vëmendjes është edhe kryeministri britanik Andy Burnham, i cili së fundmi shkaktoi reagime pasi deklaroi se do të ishte “shumë i shqetësuar” nëse pronarët aktualë do të detyroheshin ta shisnin Manchester Cityn. Më pas, zëdhënësi i tij theksoi se procesi ndaj klubit është i pavarur dhe se Manchester City nuk është mbi rregullat.
Ndërkohë, Manchester City ka konfirmuar se ka apeluar vendimin. Klubi pretendon se ekzistojnë prova që mbështesin qëndrimin e tij dhe kundërshton gjetjet e komisionit./Telegrafi/