Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar krijimin e një mekanizmi profesional dhe të pavarur për monitorimin e procedurave pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, duke u bazuar në shqetësimet e ngritura në raportin e Avokatit të Popullit.
Duke folur në Kuvendin e Kosovës, Deliu-Kodra tha se raporti ngre shqetësime për pavarësinë, mbikëqyrjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut të katër ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ajo veçoi vlerësimin se mandati i Dhomave të Specializuara ka devijuar nga qëllimi fillestar, si dhe shqetësimet për transparencën, llogaridhënien, barazinë e palëve dhe të drejtën për gjykim të drejtë.
Deliu-Kodra përmendi edhe çështjet që lidhen me jetën private dhe familjare gjatë vizitave në paraburgim, kohën në dispozicion të mbrojtjes dhe qasjen në informacione për origjinën dhe besueshmërinë e materialeve të përdorura në proces, veçanërisht atyre që kanë ardhur nga Serbia.
Ajo kërkoi që Kuvendi dhe Qeveria të ndërmarrin hapa për adresimin e këtyre shqetësimeve, si dhe që ato të përcillen te mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë plotësisht të drejtë në respektimin e plotë të garancive të tyre procedurale, familjet e tyre kanë të drejtë të presin që institucionet e Kosovës të përmbushin detyrën e vetë me seriozitet dhe vendosmëri. Prandaj në emër të PDK kërkojmë që ky Kuvend dhe Qeveria të mundësojnë mbështetjen e një mekanizmi profesional dhe të pavarur për monitorimin e procedurës pranë Dhomës së Specializuar në përputhej të plotë me kornizën ligjore dhe garancitë për pavarësi të gjyqësorit”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

