KORREKT / SOT22 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Irlanda shqyrton shtimin e ushtarëve në Kosovë, pas përfundimit të misionit në Liban

Irlanda shqyrton shtimin e ushtarëve në Kosovë, pas përfundimit të misionit në Liban

Irlanda po shqyrton mundësinë e rritjes së numrit të ushtarëve të saj në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.

Sipas mediave irlandeze, aktualisht rreth 13 ushtarë irlandezë janë pjesë e KFOR-it, ndërsa planifikuesit ushtarakë po vlerësojnë mundësinë e shtimit të trupave edhe në këtë mision, edhe në operacionin e Bashkimit Evropian në Bosnjë-Hercegovinë, EUFOR Althea, raporton The Irish Times, transmeton lajmi.net.

Diskutimet për shtimin e pranisë ushtarake janë ende në fazat fillestare dhe deri më tani nuk është përcaktuar numri i ushtarëve që mund të angazhohen në këto misione.

Kjo mundësi po shqyrtohet pas vendimit për përfundimin gradual të misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara, UNIFIL, në Libanin jugor, ku janë të angazhuar më shumë se 300 ushtarë irlandezë.

Tërheqja e trupave pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm, duke i dhënë fund pranisë gati pesëdekadëshe të Irlandës në këtë rajon.

Përfaqësues të Forcave të Mbrojtjes së Irlandës i kanë kërkuar qeverisë që të identifikojë misione të reja ndërkombëtare ku mund të angazhohen ushtarët e vendit, me qëllim krijimin e mundësive të reja për personelin ushtarak dhe ruajtjen e kapaciteteve të ushtrisë.

Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Irlandës, gjenerallejtënant Rossa Mulcahy, ka deklaruar se përfundimi i misionit në Liban do të jetë sfidë për ushtrinë irlandeze, por nuk do të shënojë fundin e angazhimit të saj në misionet ndërkombëtare.

Mekanizmi i miratimit nuk pritet ta pengojë shtimin e trupave

Shtimi i mundshëm i ushtarëve irlandezë në KFOR dhe në misionin EUFOR Althea mund të realizohet edhe nëse mbetet në fuqi mekanizmi i njohur si “Triple Lock”, pasi të dyja misionet kanë mandat të Kombeve të Bashkuara.

Ky mekanizëm kërkon mandat të OKB-së për pjesëmarrjen e më shumë se 12 ushtarëve irlandezë në misionet paqeruajtëse jashtë vendit.

Qeveria irlandeze synon ta shfuqizojë këtë kërkesë, me arsyetimin se ajo u jep Rusisë dhe Kinës, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mundësinë për të bllokuar angazhimin e trupave irlandezë në misionet ndërkombëtare.

Në anën tjetër, partitë opozitare e konsiderojnë këtë mekanizëm thelbësor për ruajtjen e neutralitetit të Irlandës.

Deri më tani nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar për rritjen e numrit të ushtarëve irlandezë në Kosovë, por mundësia po shqyrtohet në kuadër të riorganizimit të angazhimeve ushtarake të vendit pas përfundimit të misionit në Liban. /Lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.