Profesori amerikan, Daniel Serwer, ekspert për Ballkanin, thotë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka tentuar të fitojë favore prej administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, por pa shumë sukses.
Sipas Serwerit, një nga përpjekjet më të njohura ishte lidhja me ndërtesën “Shtabit të Përgjithshëm” të ushtrisë, që Vuçiq dëshironte t’ia shiste dhëndrit të Trumpit, Jared Kushnerit, por blerja nuk u realizua, duke treguar se Beogradi nuk mund të “shesë” ndikim politik aq lehtë, raporton danas.
“Nuk jam i njohur me qëndrimin e Kushnerit. Por, duket se Vuçiq në njëfarë mënyre ka ofenduar administratën e Trumpit, gjë që sipas mendimit tim është pozitive. Kjo do të thotë se Beogradi dhe Uashingtoni nuk mund, të paktën për momentin, të “shesin” sundimin e ligjit dhe demokracinë në mënyrën se si Uashingtoni e ka bërë në pjesë të tjera të botës”, tha profesori i Universitetit John Hopkins.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ende nuk e kupton shkallën e korrupsionit në Serbi dhe nuk mbështet studentët, sipas Serwerit, i cili thekson se BE duhet të qëndrojë pranë vlerave të saj dhe sundimit të ligjit.
Ndryshe, projekti i “botës serbe” shihet si një formë moderne e Serbisë së Madhe, që rrezikon stabilitetin e Ballkanit dhe shkatërron shpresat për BE.
Për vitin 2026, Serwer parashikon stagnim në marrëdhëniet rajonale, me shpresën kryesore të përparimit për Mali të Zi, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. /Telegrafi/