KORREKT / SOT25 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Dalje e lartë në zgjedhjet në Serbi, raportohet për parregullsi

Dalje e lartë në zgjedhjet në Serbi, raportohet për parregullsi

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi është regjistruar pjesëmarrje e lartë në votime deri në mesditë, teksa ka raportime për parregullsi.

Sipas Komisionit Republikan Zgjedhor, 34.55 për qind votuan deri në orën 12:00 të 25 tetorit, teksa para qendrave të votimit janë parë radhë të gjata.

Kjo është dalje më e lartë në votime krahasuar me zgjedhjet e vitit 2023, kur deri në të njëjtën kohë kishin votuar 21.33 për qind.

Ndërkaq, misioni vëzhgues i zgjedhjeve, Crta, raportoi se deri në orën 13:00, 41.1 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve kanë votuar. Deri në periudhën e njëjtë kohore në zgjedhjet e vitit 2023, dalja ishte 26.6 për qind.

Edhe në orët e hershme të mëngjesit, pjesëmarrja në zgjedhje ishte më e lartë sesa në votimet paraprake.

Nga Crta thanë më herët se pjesëmarrja në votime veçse është “jashtë trendit historik”. Rasha Nedelko nga ky mision raportoi për parregullsi, duke theksuar se deri në mesditë janë regjistruar gjithsej 14 për qind parregullsi procedurale.

Në mesin e parregullsive është fotografimi i fletëvotimeve, probleme me sprejin dhe llambat ultravjollcë dhe parregullsi të tjera.

Në këto zgjedhje, të tretat parlamentare në pesë vjetët e fundit, një lëvizje studentore e dalë nga një nismë qytetare po synon t’i japë fund pushtetit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Sipas misionit vëzhgues CRTA, vendvotimet në mbarë Serbinë u hapën kryesisht në kohë. Ndërkohë, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID) njoftoi se deri në orën 09:00 janë raportuar më shumë se 70 parregullsi gjatë votimit.

Sipas kësaj organizate, janë evidentuar raste të fotografimit të fletëvotimeve, përdorimit të telefonave, votimit jashtë kabinave dhe votimit familjar, përfshirë një raportim se një votues ka votuar në emër të një personi tjetër.

Janë raportuar gjithashtu përplasje mes anëtarëve të këshillave të vendvotimeve, ndërprerje të përkohshme të votimit, incidente dhe kërcënime ndaj votuesve, si dhe probleme me materialin zgjedhor dhe verifikimin e votuesve.

“Veçanërisht shqetësues është pengimi i qasjes së vëzhguesve. Në disa vendvotime, vëzhguesve nuk u është lejuar qasja, ndaj duhet të kontaktojmë autoritetet përgjegjëse dhe të ndërhyjmë që ata të mund ta kryejnë punën e tyre”, tha CeSID-i.

Vendvotimet janë të hapura nga ora 07:00 dhe qytetrët e Serbisë mund të votojnë deri në orën 20:00. Të drejtë vote kanë 6.450.523 qytetarë. Votimi po zhvillohet në 8.392 vendvotime, prej të cilave 93 ndodhen jashtë vendit.

Vuçiq dha dorëheqje nga posti i presidentit në fund të shtatorit. Meqë nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë, ai tani synon të bëhet kryeministër, post që e mbajti nga viti 2014 deri kur u zgjodh president, më 2017.

Megjithatë, fushata zgjedhore është shoqëruar me shqetësime gjithnjë e më të mëdha se mund të ketë manipulime zgjedhore.

Zgjedhjet po ndiqen nga afër nga Bashkimi Evropian, i cili e ka kritikuar Serbinë për prapakthim në demokraci nën udhëheqjen e Vuçiqit.

Përfaqësues të partive shqiptare në tubimin e “Koalicionit Shqiptar” në Samolicë. Tetor, 2026.

SHIKONI EDHE:

Shqiptarët garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet në Serbi

Rezultat i pasigurt

Në një klimë përçarjesh të thella dhe tensionesh shoqërore, Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiqit synon ta ruajë pushtetin pas dy vjetësh protestash masive kundër Qeverisë dhe korrupsionit në mbarë vendin.

Por, për herë të parë në shumë vjet, ajo përballet me një sfidues të vërtetë: Listën Studentore, një lëvizje e dalë nga këto protesta.

“Këto janë zgjedhjet e para në më shumë se një dekadë, rezultati i të cilave është vërtet shumë i pasigurt”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Vladimir Bilçik, ish-raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë.

Sondazhet e deritanishme tregojnë se elektorati në Serbi është kryesisht i ndarë mes atyre që mbështesin një koalicion të gjerë të ndërtuar rreth partisë në pushtet dhe atyre që përkrahin lëvizjen studentore.

Ish-presidenti i Serbisë dhe kandidati për kryeministër i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, Aleksandar Vuçiq, dhe bashkëshortja e tij, Tamara Vuçiq, presin në radhë për të votuar në një vendvotim në Beograd, gjatë zgjedhjeve parlamentare më 25 tetor 2026.
Ish-presidenti i Serbisë dhe kandidati për kryeministër i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, Aleksandar Vuçiq, dhe bashkëshortja e tij, Tamara Vuçiq, presin në radhë për të votuar në një vendvotim në Beograd, gjatë zgjedhjeve parlamentare më 25 tetor 2026.

Studentët nuk kanë udhëheqës formalë, ndërsa lista e tyre zgjedhore përbëhet nga figura jopartiake, shumica prej të cilave janë profesorë universitarë.

Më 1 nëntor 2024, shembja e strehës së rindërtuar të stacionit hekurudhor të qytetit shkaktoi vdekjen e 16 personave. Dyshimet për korrupsion në punimet e njërit prej projekteve kryesore të Qeverisë, të udhëhequr nga kompani kineze, nxorën protestuesit në rrugë në mbarë vendin.

Qeveria i mohoi akuzat, ndërsa protestuesit u përballën me dhunë policore dhe arrestime. Një nga incidentet më të rënda ndodhi më 15 mars 2025, kur autoritetet dyshohet se përdorën në mënyrë të paligjshme një armë zanore kundër demonstruesve paqësorë.

Mbi 6.4 milionë qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin mes 2.418 kandidatëve për 250 vendet e Parlamentit. Megjithatë, gara pritet të zhvillohet kryesisht mes partisë së Vuçiqit dhe Listës Studentore.

Në qendër të saj janë vazhdimi i politikave të Vuçiqit, përfshirë lidhjet e ngushta me Rusinë dhe Kinën, dhe zotimi i studentëve për ta luftuar korrupsionin.

Disa ligjvënës amerikanë kanë paralajmëruar se Moska mund të luajë rol aktiv në zgjedhje, ndërsa Parlamenti Evropian ka ngritur shqetësime për operacionet e ndikimit rus në Serbi.

“Rusia po vë në dispozicion burimet, taktikat dhe metodat e saj më të mira për të monitoruar, shtypur dhe penguar qytetarët e Serbisë, si dhe lëvizjen e fuqishme studentore që dëshiron të rivendosë sundimin e ligjit në vend”, tha për REL-in kongresisti republikan Joe Wilson.

Përveç lidhjeve të ngushta me Rusinë, furnizuesen kryesore të Serbisë me gaz, Vuçiqi është përpjekur t’i forcojë marrëdhëniet me Kinën, një investitore e madhe në vend, duke ruajtur njëkohësisht synimin e kahershëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai ka synuar gjithashtu t’i përmirësojë raportet me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

Gjatë fushatës, ai u zotua se do ta vazhdojë këtë kurs të politikës së jashtme, përfshirë refuzimin për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, pavarësisht thirrjeve të BE-së.

Illija Srdanoviq, i pari në listën zgjedhore “Lista Studentore – Studentët Fitojnë”, voton në një vendvotim në Novi Sad të Serbisë, gjatë zgjedhjeve parlamentare më 25 tetor 2026.
Illija Srdanoviq, i pari në listën zgjedhore “Lista Studentore – Studentët Fitojnë”, voton në një vendvotim në Novi Sad të Serbisë, gjatë zgjedhjeve parlamentare më 25 tetor 2026.

Lëvizja studentore, ndërkaq, e ka lënë politikën e jashtme në plan të dytë. Megjithatë, ajo ka kundërshtuar sanksionet ndaj Rusisë dhe ka përsëritur mbështetjen për qëndrimin zyrtar të Beogradit kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Kjo tregon se edhe studentët nuk janë në gjendje t’i shpëtojnë kurthit të politikës nacionaliste të Serbisë, e cila ndërtohet mbi mitin e Kosovës”, tha për REL-in profesori nga Beogradi, Zharko Koraq.

Fushata zgjedhore është shoqëruar me shqetësime në rritje për manipulime të mundshme në votimet e së dielës. Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë ka zbuluar se rreth 500.000 persona janë regjistruar për të votuar pa adresë të plotë.

REL-i ka gjetur gjithashtu se qindra votues janë regjistruar në objekte publike, përfshirë qendra të punës sociale, si dhe në shtëpi ku nuk mund të banonin aq shumë persona. Autoritetet i kanë hedhur poshtë këto akuza.

Hulumtimet kanë nxjerrë në pah edhe rritjen, para votimit, të numrit të personave me të drejtë vote në zgjedhjet serbe në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.

Zgjedhjet e fundit në Serbi, të mbajtura më 2023, u pasuan nga protesta të shumta, pasi vëzhguesit ndërkombëtarë raportuan parregullsi, përfshirë transportimin me autobusë të votuesve nga Bosnje e Hercegovina fqinje dhe frikësimin e votuesve.

Një grup dypartiak senatorësh amerikanë u ka bërë thirrje autoriteteve serbe të sigurojnë kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, duke iu referuar “shenjave shqetësuese” para votimit të 25 tetorit.

Deklarata e publikuar më 21 tetor nga Komiteti i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë përmendi raportimet për përgjim të paligjshëm të anëtarëve të opozitës dhe përpjekjet për të diskredituar e penguar misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve.

Një analizë e pavarur forenzike nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë ka konfirmuar gati 20 raste të përdorimit të programeve të paligjshme të përgjimit që nga fillimi i vitit 2026.

Opozita dhe studentët i akuzojnë autoritetet për këto përgjime, ndërsa zyrtarët qeveritarë mohojnë se po spiunojnë kundërshtarët e tyre.

Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka angazhuar 14 ekspertë dhe 30 vëzhgues afatgjatë për zgjedhjet në Serbi, ndërsa ditën e votimit do t’u bashkohen edhe 300 vëzhgues afatshkurtër.

Gara mes SNS-së së Vuçiqit dhe Listës Studentore pritet të jetë e ngushtë, por sondazhet japin rezultate të ndryshme.

Faktor Plus e nxjerr listën e Vuçiqit përpara, me 48.6 për qind kundrejt 37.1 për qind për studentët. Ndërkaq, platforme serbe per analiza politike dhe sondazhe, NSPM, u jep epërsi këtyre të fundit, me 44.4 për qind kundrejt 41.7 për qind.

Për Kosovën, megjithatë, ndryshimi i pushtetit në Beograd nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht ndryshim të qëndrimit ndaj shtetësisë së saj. Siç tregojnë edhe qëndrimet e studentëve për politikën e jashtme, kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës mbetet pikë e përbashkët mes dy blloqeve.

Në maj, lëvizja studentore e konkretizoi këtë qëndrim përmes një memorandumi, në të cilin e quajti Kosovën “pjesë të patjetërsueshme dhe përbërëse” të Serbisë.

Sipas Marko Savkoviqit, bashkëpunëtor i Qendrës për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Beograd, kundërshtimi i shtetësisë së Kosovës nuk filloi me Vuçiqin dhe nuk ka gjasa të përfundojë me të. Ai vlerëson se hapësira politike për një qasje thelbësisht tjetër ndaj statusit të Kosovës mbetet shumë e kufizuar.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.