KORREKT / SOT25 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Qindra mijëra protestues në Francë, mbi 1,300 të arrestuar pas përleshjeve me policinë

Qindra mijëra protestues në Francë, mbi 1,300 të arrestuar pas përleshjeve me policinë

Qindra mijëra qytetarë kanë marshuar të shtunën në qytete të ndryshme të Francës, në protesta kryesisht paqësore në mbështetje të kërkesave të nxënësve për më shumë mësimdhënës dhe përmirësimin e objekteve shkollore të amortizuara.

Protestat u zhvilluan në një kohë kur presidenti Emmanuel Macron po përballet me një krizë sociale dhe politike, në muajt e fundit të mandatit të tij.

Megjithatë, demonstratat në disa qytete u shoqëruan me përleshje mes protestuesve dhe policisë. Ministria e Brendshme e Francës bëri të ditur se gjithsej 1,314 persona janë arrestuar, ndërsa janë raportuar 75 zjarre dhe 24 dyqane të plaçkitura. Sipas autoriteteve, këto shifra janë më të ulëta se ato të fundjavës së kaluar.

Në qytetin jugor të Nicës, prokuroria njoftoi të dielën se 59 persona janë ndaluar nga policia, përfshirë 11 të dyshuar për përkatësi në grupe të ekstremit të djathtë. Ata dyshohet se ishin mbledhur me qëllim të kryerjes së akteve të dhunshme.

Sipas prokurorisë, disa prej tyre u arrestuan në dy automjete, ku u gjetën maska, doreza, sprej gazi dhe shkopinj. Mediat lokale kishin raportuar se grupe të ekstremit të djathtë kishin shkuar në qendër të Nicës dhe kishin shënjestruar demonstruesit.

Në Paris, sipas vlerësimeve të qeverisë, të paktën 110 mijë persona marshuan përgjatë pjesës lindore të qytetit. Përveç mbështetjes për nxënësit e shkollave të mesme, protestuesit shprehën pakënaqësi për koston e lartë të jetesës dhe mënyrën se si qeveria po menaxhon protestat.

Ata kritikuan përdorimin e forcave të policisë kundër nxënësve gjatë muajit të fundit, duke kërkuar zgjidhje politike në vend të ndërhyrjeve policore.

Pjesa më e madhe e marshimit në Paris u zhvillua në atmosferë paqësore. Në mesin e protestuesve kishte familje me fëmijë, ndërsa disa mbanin pankarta me mesazhe kundër veprimeve të policisë, si “Shtypja lind rebelimin” dhe “E drejta për të protestuar”.

Megjithatë, në fund të demonstratës, në zonën Porte de Vincennes, në lindje të Parisit, u shfaqën grupe burrash të maskuar dhe të veshur me të zeza, të cilët nuk dukej se kishin marrë pjesë në marshimin paqësor.

Disa prej tyre hodhën shishe qelqi dhe gurë në drejtim të policisë, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, topa uji dhe granata trullosëse. Gjatë incidenteve u dogj një kontejner mbeturinash dhe u hodhën fishekzjarrë drejt policisë.

Forcat e rendit ndërhynë edhe ndaj një grupi më të madh protestuesish në fund të marshimit në Paris, duke përdorur shkopinj gome. Ndërkohë, policia përdori gaz lotsjellës për të penguar protestuesit në Lion, Lilë, Monpelje, Nantë dhe Tuluzë që të arrinin në qendrat e qyteteve.

Në Marsejë u dogjën disa kontejnerë mbeturinash gjatë përleshjeve me policinë. Të paktën dy persona u lënduan rëndë, njëri në Klermon-Feran dhe tjetri në Tuluzë. Sipas raportimeve, personit të lënduar në Tuluzë i janë këputur disa gishta nga shpërthimi.

Qeveria franceze vlerësoi se në protestat e së shtunës në mbarë vendin morën pjesë të paktën 400 mijë persona, ndërsa sindikatat pretenduan se numri ishte dyfishi i këtij vlerësimi.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, tha se në disa marshime kishte grupe me rrezikshmëri të lartë, të cilat, sipas tij, shkëputeshin nga turma kryesore për të kryer akte dhune.

Mbi 70 mijë policë u angazhuan në qytetet franceze. Shumë dyqane u mbuluan me mbrojtëse, ndërsa disa muze qëndruan të mbyllur, pasi autoritetet kishin frikë se dhuna mund të përsëritej pas trazirave të fundjavës së kaluar, raporton The Guardian.

Atëherë, pavarësisht protestave paqësore, Franca përjetoi një nga ditët më të dhunshme të trazirave në vitet e fundit. Ndërtesa publike u dogjën, qindra dyqane u dëmtuan dhe u plaçkitën, ndërsa të paktën 2,700 persona u arrestuan në qytete të ndryshme të vendit.

Në protestat e së shtunës, pakënaqësia ndaj Macronit u shtua edhe për shkak të ndalimit të demonstratave të organizuara jashtë sindikatave, të cilat qeveria i kishte cilësuar si “të paligjshme”. Protestuesit kundërshtuan gjithashtu masat që i mbanin demonstruesit larg qendrave të qyteteve.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.