Meriton Korenica mund t’i japë fund aventurës së tij te Cluji gjatë këtij afati kalimtar veror.
Mediumet rumune raportojnë se reprezentuesi i Kosovës dëshiron të largohet nga skuadra rumune dhe tashmë i ka kërkuar menaxherit të tij që t’i gjejë një klub të ri.
Dëshira e Korenicës për një aventurë të re përkon edhe me situatën financiare të Clujit. Klubi rumun po përballet me vështirësi ekonomike dhe është i gatshëm të shqyrtojë ofertat për disa prej lojtarëve të tij.
Në mesin e tyre është edhe Korenica, për të cilin Cluji raportohet se kërkon rreth 1 milion euro.
Interesimi për mesfushorin 29-vjeçar nuk mungon, ndërsa klubi rumun ka marrë oferta edhe për dy futbollistë të tjerë të ekipit. Kjo e bën largimin e Korenicës një skenar gjithnjë e më të mundshëm në ditët e ardhshme të afatit kalimtar.
Korenica ka kontratë me Clujin deri në verën e vitit të ardhshëm, çka i jep klubit një mundësi të mirë për të përfituar financiarisht nga shitja e tij para se të hyjë në vitin e fundit të marrëveshjes.
Reprezentuesi i Kosovës iu bashkua Clujit në vitin 2024 dhe që atëherë është bërë pjesë e rëndësishme e skuadrës rumune./Telegrafi/
