KORREKT / SOT23 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Çitaku: Brenda javës procedojmë në Kuvend nismën e re për Specialen, synojmë miratimin e saj në dy lexime

Çitaku: Brenda javës procedojmë në Kuvend nismën e re për Specialen, synojmë miratimin e saj në dy lexime

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se brenda kësaj jave do të procedohet në Kuvendin e Kosovës një nismë e re ligjore për Dhomat e Specializuara.

Çitaku ka thënë se ekspertët janë duke bërë ndërhyrjet e fundit në draftin e ligjit, ndërsa ka shprehur pritjen që versioni i parë të pranohet gjatë ditës.

Ajo ka theksuar se kjo nismë duhet të ketë mbështetje të gjerë politike dhe qytetare, duke shtuar se tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për një iniciativë të PDK-së, por për një nismë që, sipas saj, ka edhe vulën e institucioneve të Kosovës.

“Dua t’ju njoftoj që brenda kësaj jave do të procedojmë në Kuvend nismën e re ligjore për Dhomat e Specializuara. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo nismë gëzon unitetin e plotë politik e qytetar në Kuvendin e Kosovës dhe është shumë e rëndësishme që kjo nismë nuk është tashmë vetëm e PDK-së, por ka vulën e institucioneve të Kosovës”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka bërë të ditur se pas procedimit të nismës, do të ketë hapësirë për diskutime në komisionet parlamentare, ku do të mund të merren parasysh këshillat dhe rekomandimet e deputetëve.

“Do të jemi të hapur brenda punës që do të bëhet në komisione të bashkëbisedojmë, të marrim këshilla e rekomandime. Synimi ynë është që shumë shpejt ky ligj të kalojë në të dyja leximet”, ka thënë ajo.

Çitaku ka theksuar se nuk mund të flasë për përmbajtjen konkrete të projektligjit, pasi ai është duke u përgatitur nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Megjithatë, sipas saj, pavarësisht ndryshimeve që mund të përmbajë drafti i ri, thelbi mbetet i njëjtë: mbrojtja e të drejtave të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, transparenca dhe llogaridhënia.

Ajo ka deklaruar se mbrojtja e të akuzuarve duhet ta kryejë punën e saj në sallën e gjyqit, duke paralajmëruar se përfshirja e saj në debate publike mund të sjellë probleme për procesin gjyqësor.

Duke folur për raportet me Bashkimin Evropian, Çitaku ka thënë se në PDK kanë qenë të vetëdijshëm që nisma e re ligjore nuk do të mirëpritet nga BE-ja.

Sipas saj, Kuvendi i Kosovës është institucioni prej të cilit buron legjitimiteti i Dhomave të Specializuara, ndërsa Kosova e ka përmbushur obligimin e saj ndaj partnerëve ndërkombëtarë duke e themeluar këtë gjykatë.

“Ne e kemi ditur që nga dita e parë që kjo nismë ligjore nuk do të duartrokitet nga BE-ja, por Kuvendi është institucioni nga buron legaliteti i Dhomave të Specializuara. Institucion që e kemi themeluar në mirëbesim, ne e kemi kryer detyrimin tonë karshi partnerëve dhe BE-së, duke e themeluar këtë Dhomë për të hetuar disa pretendime skandaloze e monstruoze si ai i trafikimit të organeve”, është shprehur Çitaku.

Ajo ka kritikuar Bashkimin Evropian, duke pretenduar se nuk ka arritur të garantojë një proces gjyqësor të drejtë dhe të barabartë për të akuzuarit në Hagë.

Çitaku ka ngritur shqetësime edhe për kohëzgjatjen e paraburgimit dhe mënyrën e përzgjedhjes së provave, të cilat, sipas saj, kanë krijuar dyshime serioze për funksionimin e deritanishëm të Gjykatës.

Ajo ka përmendur gjithashtu çështjen e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, duke pretenduar se kjo teori juridike kishte rënë në dy raste në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndërsa më pas ishte konfirmuar nga Dhomat e Specializuara.

Në fund, Çitaku ka theksuar se kërkesa e tyre nuk është mbyllja apo shuarja e Gjykatës Speciale, por garantimi i një procesi të drejtë, në përputhje me standardet evropiane.

“Ne nuk kemi kërkuar që Gjykata të mbyllet e të shuhet, por vetëm drejtësi”, ka deklaruar Çitaku. /Lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.