Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka zhvilluar një takim bilateral me drejtoreshën ekzekutive të Konstituencës së Grupit të Bankës Botërore, Nathalie Francken, në kuadër të Takimeve Vjetore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Grupit të Bankës Botërore.
Sipas BQK-së, në takim është diskutuar për avancimin e bashkëpunimit dhe zbatimin e projekteve strategjike, me fokus në modernizimin e infrastrukturës së pagesave, zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta (TIPS Clone) dhe integrimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Gjatë takimit, guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e këtyre reformave për rritjen e efikasitetit dhe sigurisë së pagesave, uljen e kostove për qytetarët dhe bizneset, si dhe forcimin e integrimit të Kosovës në sistemet financiare evropiane.
Ai gjithashtu falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen financiare, ekspertizën dhe asistencën teknike në realizimin e projekteve prioritare.
Ndërkaq, Nathalie Francken vlerësoi progresin e arritur dhe angazhimin e BQK-së në zbatimin e reformave, duke riafirmuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit.
BQK ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për zhvillimin e një sistemi financiar modern dhe gjithëpërfshirës, në përputhje me standardet evropiane dhe në mbështetje të stabilitetit financiar dhe zhvillimit ekonomik të vendit./Telegrafi/

