Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara në Kosovë ka shënuar rënie gjatë gushtit të këtij viti, krahasuar me muajin paraprak dhe me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë gushtit 2026 janë regjistruar 1,010 ndërmarrje të reja, ndërsa 84 ndërmarrje janë shuar.
Në krahasim me korrikun 2026, numri i ndërmarrjeve të regjistruara ka rënë për 36.2 për qind. Ndërsa krahasuar me gushtin e vitit 2025, rënia është 5.4 për qind.
“Në gusht 2026 krahasuar me muajin paraprak, kemi rënie për 36,2 % të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, kemi rënie për 5,4 % të ndërmarrjeve të regjistruara”, thuhet në raportin e ASK-së.
Sipas sektorëve ekonomikë, aktiviteti me më së shumti ndërmarrje të reja gjatë gushtit ishte tregtia me shumicë dhe pakicë, si dhe riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave, me 207 ndërmarrje ose 20.5 për qind të totalit.
Pas këtij sektori renditen informacioni dhe komunikimi me 113 ndërmarrje, apo 11.2 për qind, si dhe aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 109 ndërmarrje, apo 10.8 për qind.
Sa i përket madhësisë së ndërmarrjeve, 1,003 prej tyre i përkasin kategorisë së mikro-ndërmarrjeve, me zero deri në nëntë të punësuar.
Ndërkaq, shtatë ndërmarrje të reja janë regjistruar në kategorinë e ndërmarrjeve të vogla, që kanë nga 10 deri në 49 të punësuar. Gjatë gushtit nuk është regjistruar asnjë ndërmarrje e mesme apo e madhe.
Rajoni i Prishtinës prin për nga numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara, me 463 biznese ose 45.8 për qind të totalit.
Pas Prishtinës, numri më i madh i ndërmarrjeve të reja është regjistruar në rajonin e Prizrenit me 124, Mitrovicës me 93, Ferizajt me 90, Pejës me 88, Gjakovës me 82 dhe Gjilanit me 70.
Të dhënat janë publikuar nga ASK në kuadër të Repertorit Statistikor të Ndërmarrjeve Ekonomike në Kosovë për muajin gusht 2026. /Telegrafi/