Pas kthimit të një fluturimi me 87 pasagjerë nga Tivati në Beograd të mërkurën, Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA) lëshoi një deklaratë, duke njoftuar se kishte paralajmëruar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq të mos udhëtonte në Mal të Zi për Samitin Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, sepse ishte përcaktuar se ekziston një “rrezik i lartë sigurie”.
“Sipas inteligjencës sonë operative, Radoje Zvicer, udhëheqësi i klanit Kavaç, ndodhet aktualisht në Mal të Zi”, deklaroi BIA, transmeton Telegrafi.
Agjencia shtoi se “në kundërshtim me të gjitha standardet profesionale dhe parimet e sjelljes së përgjegjshme, vlerësimi i sigurisë që u kërkua vazhdimisht nga shërbimi i vendit pritës në Mal të Zi nuk na është dhënë”, transmeton Telegrafi.
Anëtarët e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet dhe gazetarët e kanalit televiziv pro-SNS Informer gjithashtu i kërkuan Vuçiqit të mos udhëtonte në Mal të Zi mbrëmë.
Kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiq tha mbrëmë për Informer se ishte përpjekur të fliste me Vuçiqin për mos-shkuarjen e tij, por se “ai nuk do të dëgjojë për këtë” dhe se do të udhëtonte “për shkak të detyrës së tij ndaj Serbisë”.
Në një reagim ndaj këtyre zhvillimeve, Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi postoi në X se, në pritje të Samitit në Tivat, Mali i Zi do të bëjë gjithçka për të “pritur miqtë, aleatët dhe partnerët tanë në nivelin më të lartë dhe për të siguruar mbajtjen me sukses dhe dinjitoze të këtij eventi të rëndësishëm ndërkombëtar për ne”.
“Si një anëtar i përgjegjshëm dhe i besueshëm i NATO-s, Mali i Zi u garanton të gjithë mysafirëve të tij një qëndrim të sigurt, të mbrojtur dhe të këndshëm. Prioriteti ynë mbetet që asnjë rrethanë e jashtme të mos errësojë suksesin e Samitit dhe qëllimet e përbashkëta që promovojmë përmes tij”, postoi Ministria në X.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, Mal i Zi, është planifikuar të zhvillohet më 5 qershor, me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe qeverive.
Paralajmërimet për sigurinë e Vuçiqit në Mal të Zi pasuan një ngjarje më herët të mërkurën, kur një fluturim çarter nga Beogradi me 87 pasagjerë u kthye nga Tivati në Serbi pasi u vlerësua si rrezik sigurie nga policia malazeze dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare.
Portali malazez Vijesti raportoi se qytetarët e Serbisë që u kthyen “kryesisht kanë precedentë kriminalë” dhe janë përmendur për vite me radhë në median serbe si persona të ngarkuar me “detyra të veçanta nga regjimi i SNS-së”.
Sipas fotove të publikuara, individët mbanin pajisje telekomunikacioni dhe banderola me sloganin “Serbia po fiton”, i cili, për disa muajt e fundit, ka qenë slogani i kundërfushatës së SNS-së ndaj fushatës së lëvizjes studentore në Serbi, slogani i së cilës është “Studentët po fitojnë”.
Cili ishte qëllimi i udhëtimit të këtyre personave në Mal të Zi mbetet i panjohur.
N1 raportoi mbrëmë se një grup pasagjerësh nga Mali i Zi u penguan të kalonin kufirin me Serbinë dhe se një fluturim nga Podgorica iu nënshtrua një kontrolli të papritur sigurie, në atë që mund të jetë një masë hakmarrëse nga Beogradi. /Telegrafi/
