Forcat ukrainase kanë realizuar një operacion të paprecedentë me shtatë faza, i cili, sipas raportimeve, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në urën e Krimesë, një nga objektet infrastrukturore më të mbrojtura të Rusisë dhe një korridor jetik për furnizimin e trupave ruse në gadishullin e pushtuar.
Ukraina përdori një kombinim dronësh dhe raketash për të goditur pjesët rrugore dhe hekurudhore të urës gjatë natës mes të hënës dhe të martës. Sulmi erdhi pas disa javësh operacionesh të koordinuara, që synonin dobësimin e sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore të vendosura për të mbrojtur këtë infrastrukturë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, publikoi detaje të operacionit, duke bërë të ditur se ai ishte rezultat i një plani me shtatë faza, të hartuar dhe koordinuar nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Në operacion, sipas tij, u përfshinë 11 sisteme të ndryshme armësh.
Pamjet që qarkulluan pas sulmit duket se tregojnë shembjen e njërit prej harqeve kryesore të urës dhe të një pjese të rrugës, të cilat, sipas raportimeve, kanë përfunduar në det. Nëse konfirmohet, dëmi mund të përbëjë një goditje të rëndë për këtë lidhje infrastrukturore mes Rusisë dhe Krimesë së pushtuar, transmeton Telegrafi.
Ministria ruse e Transportit konfirmoi se qarkullimi rrugor dhe hekurudhor ishte ndërprerë pas ditës së dytë radhazi të sulmeve, por nuk konfirmoi raportimet për shembjen e pjesëve të urës.
Si u realizua operacioni ukrainas?
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin X, Zelensky tha se forcat ukrainase kishin kaluar disa javë duke goditur në mënyrë sistematike sistemet ushtarake ruse që mbronin urën.
“Luftëtarët tanë shkatërruan gradualisht sistemet e mbrojtjes ajrore, radarët, pajisjet e luftës elektronike dhe objektiva të tjera të përcaktuara, në rrugën drejt objektivit përfundimtar”, deklaroi presidenti ukrainas.
Ai përmendi 11 sistemet e armëve të përdorura gjatë operacionit: Dovbush, Vendetta, Da Vinci, Sichen, Mich-2000, Ruta, Palianytsia, An-197, FP-1, FP-5 Flamingo dhe R-360 Neptune.
Në fazën përfundimtare, forcat ukrainase përdorën armë të ndryshme për të goditur dy pjesët kryesore të urës.
“Gjatë fazës vendimtare të sotme, dronët ‘Palianytsia’ u dalluan veçanërisht, duke goditur pjesën rrugore të urës, ndërsa raketat ‘Neptune’, dronët ‘Ruta’ dhe FP-5 goditën pjesën hekurudhore”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas veçoi gjithashtu përdorimin e raketës kruz FP-5 Flamingo në një sulm me precizion të lartë.
“Me përdorimin e ‘Flamingo’, luftëtarët tanë realizuan një goditje të drejtuar me precizion, ndërsa lidhja e komunikimit funksionoi pa asnjë problem deri në sekondat e fundit”, deklaroi ai.
Për sulmin foli edhe Robert Brovdi, i njohur me nofkën “Magyar”, komandant i Forcave të Sistemeve Pa Pilot të Ukrainës. Ai bëri të ditur se në operacion ishin përfshirë disa njësi ushtarake ukrainase.
Sipas Brovdit, sulmi ishte një operacion i përbashkët mes njësive të goditjeve në distancë të Marinës ukrainase, Forcave Raketore dhe Artilerisë, Qendrës së 7-të të sapoformuar të Brigadës së 414-të “Magyar’s Birds”, Qendrës së Parë të Forcave të Sistemeve Pa Pilot dhe Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU).
“Ura e shenjtë është lodhur. Është koha për gomone”, shkroi Brovdi, duke iu referuar urës që ka rëndësi të veçantë simbolike për presidentin rus, Vladimir Putin.
Ai la të kuptohej gjithashtu se sulmi do të ketë pasoja afatgjata për lidhjet e transportit të Rusisë me gadishullin.
Edhe kompania ukrainase Fire Point, prodhuese e raketës kruz Flamingo, reagoi ndaj sulmit përmes një postimi në X, ku shkroi shkurt: “Krimea është Ukrainë, meqë ra fjala”.
Ndërkaq, Vladyslav Vlasiuk, komisioneri i presidentit ukrainas për sanksionet, publikoi një mesazh tjetër: “Ura e Krimesë. E sanksionuar”.
Zelensky nuk bëri të ditur numrin e dronëve dhe raketave të lëshuara, sa prej tyre arritën objektivat apo cilat armë shkaktuan dëmet e raportuara në strukturën e urës.
Çfarë ndodhi me urën?
Pamjet e publikuara nga kanalet ruse dhe ukrainase në Telegram duket se tregojnë se vetëm njëri nga dy harqet e urës ka mbetur në këmbë.
Sipas raportimeve të këtyre kanaleve, harku tjetër dhe një pjesë e rrugës janë shembur në det pas sulmit gjatë natës.
Ministria ruse e Transportit tha se dëmet po vlerësoheshin, por nuk konfirmoi shembjen e raportuar. Deri më tani, shkalla e dëmeve strukturore nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Pse është kaq e rëndësishme ura e Krimesë?
Ura e Krimesë, e gjatë 19 kilometra, lidh rajonin Krasnodar të Rusisë me gadishullin e Krimesë, të pushtuar nga Rusia, përmes Ngushticës së Kerçit.
Projekti, me vlerë rreth katër miliardë dollarë, u ndërtua pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Ura u hap për qarkullimin e automjeteve në vitin 2018, ndërsa shërbimet e transportit hekurudhor për pasagjerë nisën në vitin 2019.
Ajo përbën një korridor të rëndësishëm për furnizimin dhe transportin ushtarak të forcave ruse që operojnë në territoret e pushtuara në jug të Ukrainës. Përmes saj transportohen pajisje ushtarake, furnizime dhe personel.
Përveç rëndësisë strategjike, ura ka edhe vlerë të madhe simbolike për Vladimir Putinin, i cili e mbështeti fuqishëm ndërtimin e saj si një mënyrë për të konsoliduar kontrollin rus mbi Krimenë pas aneksimit.
Ura është goditur disa herë nga forcat ukrainase. Sulmet e tetorit 2022 dhe korrikut 2023 shkaktuan dëme të konsiderueshme, por nuk arritën ta nxirrnin përgjithmonë jashtë funksionit.
Zelensky e përshkroi operacionin e fundit si përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme ruse kundër infrastrukturës ukrainase, përfshirë urat në Kiev, Zaporizhzhia, Dnipro dhe rajonin e Odesës.
“Ne i kemi ofruar vazhdimisht Rusisë hapa drejt uljes së tensioneve, por çdo propozim është pritur me refuzim të zëshëm”, tha ai.
“Aftësitë mbrojtëse të Ukrainës janë të fuqishme dhe do të mbeten të tilla. Ne nuk do të lejojmë kurrë që terrori kundër qyteteve dhe popullit tonë të mbetet pa përgjigje”, përfundoi presidenti ukrainas. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com

