Një avion transporti ushtarak i tipit An-12 është rrëzuar të martën në Rusi, pasi dyshohet se ka marrë flakë në ajër. Të 19 personat që ndodheshin në bord kanë humbur jetën, sipas kanalit të lajmeve në Telegram, Mash, por bilanci i viktimave nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Ngjarja ndodhi pranë fshatit Yagunovo, në rajonin e Kemerovos, në jugperëndim të Siberisë, rreth 3 mijë kilometra në lindje të Moskës.
Guvernatori i rajonit të Kemerovos, Ilya Seredyuk, i cili foli nga vendi i ngjarjes, tha se avioni po kalonte në tranzit kur ndodhi një “incident ajror”.
Seredyuk bëri të ditur se ishte ngritur një shtab emergjence, ndërsa në vendngjarje po punonin ekipet e shpëtimit, policia, Garda Kombëtare dhe specialistë të mjekësisë së fatkeqësive. Ai shtoi se rrethanat e rrëzimit po hetohen.
Banorët e zones shprehen se kanë parë një gjurmë zjarri në qiell përpara rrëzimit. Pamjet që po qarkullojnë në internet duket se tregojnë avionin duke u djegur ende në ajër, ndërsa dëgjohet edhe zhurma e motorëve përpara se ai të përplaset në tokë.

