Komisioni Evropian ka publikuar udhëzime të reja për qytetarët e Bashkimit Evropian, duke u bërë thirrje që të përgatiten më mirë për situata emergjente dhe fatkeqësi të ndryshme, përfshirë ndërprerjet e energjisë elektrike, sulmet kibernetike dhe krizat e tjera.
Sipas rekomandimeve, çdo familje duhet të sigurojë rezerva ushqimore, ujë dhe artikuj të tjerë bazë, të mjaftueshëm për të përballuar të paktën 72 orët e para të një krize, deri në organizimin dhe mbërritjen e ndihmës nga shërbimet publike.
Udhëzimet u prezantuan në Forumin Evropian për Mbrojtjen Civile në Bruksel nga komisionerja evropiane për gatishmëri dhe menaxhimin e krizave, Hadja Lahbib.
Ajo theksoi se orët e para janë vendimtare në situata emergjente dhe se secili qytetar duhet të dijë si ta mbrojë familjen dhe si t’u ndihmojë të tjerëve.
Sipas saj, përgatitja duhet të fillojë në shtëpi, shkolla dhe komunitetet lokale.
Rekomandohet edhe një çantë për evakuim
Një nga rekomandimet kryesore të Komisionit Evropian është që familjet të kenë të përgatitur një çantë emergjente me gjërat më të domosdoshme, në rast se duhet të largohen shpejt nga banesat e tyre.
Përveç rezervave ushqimore dhe ujit për tri ditë, udhëzimet përfshijnë edhe edukimin për situatat e krizave në kopshte dhe shkolla, përmes aktiviteteve të përshtatura për moshën e fëmijëve dhe pa shkaktuar frikë.
Po ashtu, kërkohen masa të veçanta për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara, si dhe komunikim më i shpejtë dhe më i qartë nga autoritetet për rreziqet që mund të paraqiten.
23 tetori propozohet si Dita Evropiane e Gatishmërisë
Komisioni Evropian ka propozuar që 23 tetori të shpallet Dita Evropiane e Gatishmërisë, e cila do të shënohej çdo vit duke filluar nga viti 2027.
Kjo datë është zgjedhur pasi shënon themelimin e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile në vitin 2001. Qëllimi është që qytetarët dhe autoritetet lokale të ndërgjegjësohen për rreziqet dhe të zhvillojnë ushtrime të rregullta për përballimin e situatave emergjente.
Propozimi është mbështetur edhe në rekomandimet e një paneli prej 150 qytetarësh nga shtetet anëtare të BE-së, të cilët kanë kërkuar përfshirje më të madhe të publikut në sistemet e mbrojtjes dhe shpëtimit.
Testime për shërbimet e mbrojtjes civile
Përveç rekomandimeve për qytetarët, Brukseli u ka bërë thirrje edhe shteteve anëtare që të zhvillojnë rregullisht teste për vlerësimin e gatishmërisë dhe plane për vazhdimësinë e punës në situata krize.
Qendrat kombëtare të mbrojtjes civile duhet të sigurojnë funksionim dhe koordinim të pandërprerë të ndihmës, 24 orë në ditë, edhe në rastet e ndërprerjes së energjisë elektrike, rënies së rrjeteve të komunikimit apo sulmeve kibernetike.
Megjithëse këto udhëzime nuk janë ligjërisht të detyrueshme, ato janë pjesë e strategjisë më të gjerë të BE-së për forcimin e qëndrueshmërisë ndaj krizave.
Strategjia mbështetet në raportin e vitit të kaluar të ish-presidentit finlandez Sauli Niinistö, ku paralajmërohej se Evropa, për shkak të shtimit të fatkeqësive klimatike dhe kërcënimeve gjeopolitike, duhet të krijojë një kulturë të gatishmërisë në të gjitha nivelet e shoqërisë.

