Bashkimi ka vazhduar serinë e rezultateve pozitive ndaj Trepçës, duke e mposhtur kampionen në fuqi me rezultat 84:76, në kuadër të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Skuadra prizrenase e shfrytëzoi në maksimum përkrahjen e tifozëve në palestrën “Sezai Surroi”, duke e ndërtuar epërsinë që në çerekun e parë. Vendasit dominuan në këtë periudhë, të cilën e mbyllën me rezultat bindës 27:11.
Trepça u mundua të rikthehej në lojë dhe arriti t’i fitojë tri çerekët e mbetur, por dëmi i shkaktuar në dhjetë minutat e para doli të ishte tepër i madh për mitrovicasit.
Edhe pse mysafirët e përmirësuan dukshëm paraqitjen pas çerekut të parë, Bashkimi arriti ta menaxhonte epërsinë deri në fund dhe të siguronte një tjetër fitore të rëndësishme ndaj rivalit nga Mitrovica.
Lejson Zeqiri ishte ndër lojtarët më të dalluar te vendasit, duke kontribuar me dhjetë pikë, tetë kërcime dhe tri asistime. Kontribut të rëndësishëm dha edhe Jajuan Johnson, i cili e përfundoi ndeshjen me 13 pikë dhe gjashtë kërcime.
Në anën tjetër, Kenny Hasbrouck ishte më efikasi te Trepça me 17 pikë, katër kërcime dhe tri asistime, por paraqitja e tij nuk mjaftoi për ta shmangur humbjen e kampiones.
Kjo është fitorja e dytë e Bashkimit ndaj Trepçës brenda pak ditësh, pasi skuadra prizrenase e kishte mposhtur atë edhe në përballjen për Superkupën e Kosovës./Telegrafi/