Barcelona mund të shqyrtojë shitjen e Jules Koundes gjatë verës së ardhshme, në rast se në adresë të klubit arrin një ofertë e kënaqshme për mbrojtësin francez.
Sipas raportimit të mediumit prestigjioz The Athletic, pozita e 28-vjeçarit në skuadrën e Hansi Flickut është vënë në pikëpyetje, pasi ai ka humbur vendin e titullarit në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Eric Garcia ka përfituar nga kjo situatë, duke u paraqitur mirë në ndeshjet e fundit dhe duke forcuar pozitën e tij në formacionin bazë.
Megjithatë, Barcelona nuk pritet ta lejojë largimin e Koundes gjatë afatit kalimtar të janarit. Drejtuesit katalunas do ta vlerësojnë situatën e tij, paraqitjet dhe mundësitë në tregun e transferimeve përpara se të marrin një vendim përfundimtar gjatë verës.
Shitja e disa futbollistëve mund të jetë e rëndësishme për drejtorin sportiv Deco, pasi një nga prioritetet e Barcelonës është transferimi i një qendërmbrojtësi që luan me këmbën e majtë.
Kounde iu bashkua Barcelonës në vitin 2022 nga Sevilla dhe vazhdon të jetë një opsion me përvojë në repartin defensiv, pasi mund të luajë si në qendër të mbrojtjes, ashtu edhe në krahun e djathtë.
Megjithatë, minutazhi i reduktuar dhe problemet e fundit fizike kanë shtuar paqartësitë rreth së ardhmes së tij në ‘Camp Nou’.
Ndërkohë, Chelsea raportohet të jetë njëri prej klubeve që po e monitoron situatën e francezit. Londinezët kishin tentuar ta transferonin atë edhe në vitin 2022, por në atë kohë Kounde kishte zgjedhur Barcelonën./Telegrafi/

