Situata e Raphinhas te Kombëtarja e Brazilit po kalon nëpër një periudhë të ngarkuar emocionalisht, çka ka ngjallur shqetësim serioz edhe te klubi i tij, Barcelona.
Para ndeshjes miqësore ndaj Japonisë, sulmuesi brazilian u shfaq dukshëm i prekur dhe pranë lotëve në konferencën për shtyp, duke u përpjekur t’u jepte fund polemikave rreth minutazhit të tij.
“Mendoj se u shpjegova mirë. Thashë vetëm se duhet të kujdesem për veten. Nuk dua më lëndime. Ajo që dua është të jem i gatshëm si për Brazilin, ashtu edhe për Barcelonën”, u shpreh ai.
Edhe pse luajti 71 minuta në humbjen 3-2 të Brazilit ndaj Japonisë dhe doli nga fusha pa ndonjë lëndim të ri, shenjë se marrëveshja me trajnerin Carlo Ancelotti për menaxhimin e minutave po funksionon,
tensioni i tij shpërtheu pas zëvendësimit, i irrituar nga ndërhyrjet e lojtarëve japonezë dhe vendimet e gjyqtarëve, Raphinha humbi qetësinë duke protestuar ashpër për aksionin që solli golin e fitores së Japonisë në minutën e 91-të, çka i kushtoi me karton të kuq, raporton GOAL, transmeton IndeksOnline.
Sipas rregullores së FIFA-s, kartoni i kuq sjell një ndeshje pezullim edhe në miqësore, ndaj ai do të mungojë në sfidën e radhës ndaj Singaporit.
Megjithatë, Federata Braziliane e Futbollit ka vendosur ta mbajë në grumbullim si lider të grupit.
Në kampin katalanas besojnë se lojtari ka forcën ta kalojë këtë fazë, ashtu siç bëri te Barça kur nga një futbollist i kritikuar u kthye në lider.
Megjithatë, te Barcelona druhen se ky presion i shtuar te kombëtarja mund të ndikojë negativisht në gjendjen fizike dhe psikologjike të 29-vjeçarit, duke theksuar se gjetja e qetësisë me Brazilin do të ishte fitore e dyfishtë si për kombëtaren, ashtu edhe për klubin katalanas.

