Barcelona ka vendosur të rihapë tribunën e tifozëve “Gol 1957” për ndeshjen e së martës ndaj Aston Villas në Ligën e Kampionëve, pavarësisht incidenteve të fundit që mund t’i kushtojnë shtrenjtë klubit katalunas.
Sipas gazetës “Sport”, drejtuesit e Barcelonës kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e grupeve të tifozëve, të cilët janë zotuar për sjellje korrekte dhe respektim të rregullave. Në këmbim, klubi u ka dhënë sërish mundësinë të organizojnë mbështetjen nga tribuna jugore e stadiumit “Camp Nou”.
Aktiviteti i kësaj tribune ishte pezulluar më 29 tetor, pas incidenteve në El Clasico ndaj Real Madridit. Gjatë festimit të golit të dytë madrilen, mesfushori Eduardo Camavinga u godit në kokë nga një flamur i përdorur nga tifozët vendas.
La Liga e ka referuar rastin në komisionin disiplinor, ndërsa Barcelona rrezikon sanksione të rënda, deri te mbyllja e stadiumit.
Ky nuk është problemi i parë i këtij lloji për klubin, pasi edhe në nëntor të vitit 2024 ishte pezulluar aktiviteti i së njëjtës tribunë, pas problemeve me sjelljen e tifozëve dhe një gjobe prej 21 mijë eurosh. /Zëri

