Banorët e rrugëve “Qemajl Stafa” dhe “Bardhok Biba”, në lagjen Arbëria në Prishtinë, po kërkojnë zgjidhjen e problemit me ndriçimin publik.
Sipas tyre, shtyllat e ndriçimit janë të vendosura, por ndriçimi nuk funksionon, pasi mungojnë poqat. Banorët thonë se një pjesë e rrugës “Qemajl Stafa” dhe e gjithë rruga “Bardhok Biba” mbeten në errësirë gjatë orëve të mbrëmjes.
Ata kanë bërë kërkesë në Drejtorinë e Shërbimeve Publike të Komunës së Prishtinës, duke kërkuar që problemi të zgjidhet.
Banori i rrugës “Qemajl Stafa”, Sahit Ademi, thotë se problemi ka kohë që vazhdon dhe se banorët janë ankuar disa herë.
“Po, i ka dy-tri vjet”, ka thënë Ademi.
Ai ka theksuar se mungesa e ndriçimit paraqet shqetësim edhe për sigurinë e fëmijëve dhe banorëve që qarkullojnë në këtë pjesë gjatë mbrëmjes.
“Për shkak të qenve, për shkak të fëmijëve që janë nëpër shkolla, ndikon keq, normal” – ka deklaruar ai.
Ademi ka thënë se banorët janë ankuar edhe më herët për problemet në këtë pjesë, ndërsa ka treguar se në raste të caktuara kanë ndërhyrë edhe vetë për të rregulluar ndriçimin.
Telegrafi ka kontaktuar Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës për të marrë një përgjigje lidhur me shqetësimet e banorëve.
Leutrim Retkoceri nga kjo drejtori ka thënë se aktualisht janë në fazën e përgatitjes së projektit për vitin 2026.
“Aktualisht jemi në fazën e përgatitjes së projektit për vitin 2026. Do të vazhdohet pjesa e dytë e mbetur e rrugës ‘Qemajl Stafa’ dhe rruga ‘Bardhok Biba’”, ka thënë Retkoceri.
Banorët presin që me vazhdimin e projektit të zgjidhet edhe problemi me ndriçimin publik në këto dy rrugë. /Telegrafi/