Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka kërkuar nisjen e hetimeve lidhur me diplomat dhe certifikatat e lëshuara nga Qendra për Verifikimin e Aftësive Profesionale “AFTËSIMI” në Prizren, pas dyshimeve mbi bazën ligjore të funksionimit të këtij subjekti.
Sipas një komunikate për media, AVONET ka bërë të ditur se gjatë hulumtimit të aktiviteteve të prokurimit publik ka identifikuar përdorimin e diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga ky subjekt, duke kërkuar sqarime zyrtare nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) për statusin juridik dhe vlefshmërinë e tyre.
Në përgjigjen e pranuar nga AKK, sipas AVONET-it, konfirmohet se subjekti “AFTËSIMI” nuk ka qenë dhe nuk është i akredituar nga ky autoritet.
“Subjekti ‘AFTËSIMI’ në Prizren nuk ka qenë dhe nuk është i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve. AKK nuk ka lëshuar asnjë vendim akreditimi, autorizimi apo njohjeje institucionale për këtë subjekt dhe nuk disponon evidencë zyrtare për kualifikimet, programet apo certifikatat e lëshuara prej tij”, thuhet në komunikatë.
Sipas AVONET-it, këto të dhëna krijojnë dyshime të arsyeshme për bazën ligjore të lëshimit të diplomave dhe certifikatave, si dhe për përdorimin e tyre në procedura zyrtare, përfshirë ato të prokurimit publik.
Organizata ka bërë të ditur se gjatë hulumtimit është identifikuar një rast ku diploma dhe certifikata të lëshuara nga ky subjekt kanë qenë pjesë e dokumentacionit të një operatori ekonomik të shpallur fitues në një aktivitet të prokurimit publik.
“Sipas dokumentacionit të administruar, këto diploma dhe certifikata janë paraqitur si dëshmi për përmbushjen e kritereve të kualifikimit profesional dhe kanë shërbyer si bazë për vlerësimin dhe shpalljen e ofertës fituese nga autoriteti kontraktues”, thuhet më tej.
AVONET ka njoftuar se do t’u drejtohet organeve kompetente të zbatimit të ligjit për inicimin e hetimeve, duke vlerësuar se në këtë rast mund të ekzistojnë elemente të veprave penale si mashtrimi, falsifikimi i dokumenteve dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve, nëse këto dyshime vërtetohen gjatë procedurës hetimore.
Në fund, organizata u ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa ka theksuar se do të vazhdojë monitorimin e çështjes dhe do t’u vërë në dispozicion autoriteteve të gjitha faktet dhe dokumentacionin e administruar gjatë hulumtimit. /Telegrafi/
