Arsenali është shfaqur si një nga kandidatët seriozë për të nënshkruar me anësorin e PSG-së, Bradley Barcola. Edhe Barcelona dhe Liverpooli po e monitorojnë reprezentuesin francez, ndërsa raportohet se tashmë kanë nisur bisedimet e para për një transferim të mundshëm në verë.
Arsenali e ka rritur interesimin për Barcolën, teksa Mikel Arteta synon t’i forcojë opsionet në sulm para sezonit të ri.
Sipas Sky Germany, klubi nga Londra e Veriut thuhet se ka bërë një qasje për anësorin e PSG-së, duke e identifikuar atë si një objektiv kyç për të shtuar konkurrencën në krahun e majtë.
Arsenali aktualisht është në një pozitë të fortë në garat vendore, por njëkohësisht po planifikon edhe për sukses të qëndrueshëm në Evropë.
Zyrtarët e klubit besojnë se një anësor dinamik “një kundër një”, si Barcola, mund t’i japë një dimension tjetër repartit ofensiv të Artetës. Pavarësisht thellësisë në sulm, mbeten shqetësime për qëndrueshmërinë afatgjatë të opsioneve aktuale.
Stili i drejtpërdrejtë i Barcolës dhe rrezikshmëria e tij në fazën sulmuese e bëjnë atë një alternativë tërheqëse për skuadrën e Ligës Premier.
Megjithatë, Barcola nuk i ka pasur gjithmonë të garantuara minutat e rregullta te PSG, pavarësisht paraqitjeve të mira.
Interesimi për 22-vjeçarin është i gjerë nëpër Evropë: Barcelona po e ndjek prej kohësh zhvillimin e tij, ndërsa Liverpooli po ashtu përmendet si klub i interesuar, teksa mendon ta rifreskojë repartin ofensiv./Telegrafi/