Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftojnë se kanë arritur vaksinat kundër gripit sezonal dhe se sot ka filluar shpërndarja e tyre në të gjitha qendrat kryesore të mjekësisë familjare.
Vaksinimi do të fillojë pas përfundimit të shpërndarjes së vaksinave në QKMF dhe njësitë e tyre.
Me këtë rast, MSH-ja dhe IKSHPK-ja u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal, veçanërisht personave që u përkasin grupeve me rrezik të lartë.
Grupet që rekomandohet të vaksinohen me prioritet janë: personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, përfshirë sëmundjet e zemrës, mushkërive, diabetin, sëmundjet e veshkave dhe ato që dobësojnë sistemin imunitar, gratë shtatzëna, fëmijët me sëmundje kronike dhe ata që kanë indikacion për vaksinim sipas rekomandimeve shëndetësore, personat që jetojnë në institucione të kujdesit afatgjatë, profesionistët shëndetësorë dhe personat e tjerë që ofrojnë kujdes shëndetësor.
Vaksinimi kundër gripit sezonal rekomandohet edhe për qytetarët e tjerë që dëshirojnë të vaksinohen.
“Vaksinimi është një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen nga gripi sezonal dhe për uljen e rrezikut të komplikimeve, formave të rënda të sëmundjes dhe shtrimit në spital”, thuhet në njoftim.
Për informata të detajuara rreth fillimit të vaksinimit, qytetarët mund të kontaktojnë institucionin më të afërt të kujdesit parësor shëndetësor në komunën e tyre.

