Dy persona janë arrestuar në fshatin Isniq të Komunës së Deçanit, nën dyshimin për kultivim të bimëve narkotike dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Operacioni është zhvilluar të hënën në mëngjes nga Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësiti Antidrogë në Pejë, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë.
Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë, gjatë realizimit të urdhrit për kontroll janë sekuestruar shtatë bimë narkotike të kultivuara, 28.6 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë, si dhe pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur për përpunimin e substancave narkotike.
Dy të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.
Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin në parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme që lidhen me narkotikët. /Telegrafi/