Në New York kanë nisur përgatitjet për realizimin e dramës Aromë Femre, me autore Ibi Abazin, regji dhe produksion të Avni Abazit.
Më 31 tetor 2026, në teatrin “The Producers Club në Manhattan”, u mbajtën audicionet për përzgjedhjen e aktorëve të kësaj shfaqjeje.
Interesimi ishte i konsiderueshëm. Nga rreth 150 aplikime, 23 kandidatë u përzgjodhën në rrethin e ngushtë për tri personazhet e dramës: Dori, Lori dhe Doni.
Pamjet nga audicioni dokumentojnë interpretimet e disa aktorëve amerikan që morën pjesë në procesin e përzgjedhjes.
Aromë Femre trajton pasojat psikologjike dhe njerëzore të luftës në Kosovë, me theks të veçantë te dhuna seksuale gjatë luftës dhe traumat e mbetura pas saj.
Shfaqja është produksion i Honey & Blood Theatre dhe do të realizohet në gjuhën angleze.
Premiera do të mbahet më 9 dhjetor 2026, ndërsa shfaqja do të jepet edhe më 10 dhe 11 dhjetor, nga ora 19:30, në teatrin “The Producers Club”, 358 West 44th Street, Manhattan, New York. /Klankosova.tv

