Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, Action for Mothers and Children (AMC) dhe Tip1omël përsërisin thirrjen drejtuar Qeverisë së Kosovës që të sigurojë qasje në sensorë për monitorimin e vazhdueshëm të glukozës (CGM), pompa të insulinës dhe materiale të nevojshme përcjellëse për personat që jetojnë me diabet të tipit 1.
Gati një vit pas nisjes së peticionit publik për përfshirjen e këtyre pajisjeve në Listën e Pajisjeve dhe Materialeve Mjekësore Esenciale të Kosovës, janë mbledhur mbi 2,300 nënshkrime, ndërsa synimi është të arrihen 10,000.
Sipas T1D Index për vitin 2025, vlerësohet se në Kosovë jetojnë 2,335 persona me diabet të tipit 1, prej të cilëve 525 janë fëmijë dhe adoleshentë nën moshën 20-vjeçare.
Diabeti i tipit 1 është një sëmundje autoimune që zgjat gjatë gjithë jetës dhe kërkon trajtim të përditshëm me insulinë, si dhe monitorim të kujdesshëm të nivelit të glukozës në gjak. Sensorët CGM dhe pompat e insulinës mundësojnë menaxhim më të mirë të diabetit, zvogëlojnë rrezikun e komplikimeve serioze dhe lehtësojnë përditshmërinë e personave me diabet dhe familjeve të tyre. Megjithatë, kostoja e këtyre pajisjeve vazhdon të jetë pengesë e madhe për shumë familje në Kosovë.
“Gjatë vitit të kaluar kemi parë mbështetje gjithnjë e më të madhe për fushatën tonë nga qytetarët anembanë Kosovës. Por vetëm ndërgjegjësimi nuk mjafton”, tha drejtoresha ekzekutive e AMC-së, Rina Demiri Spahija. “Fëmijët me diabet të tipit 1 kanë nevojë për qasje të vazhdueshme në teknologjinë që u ndihmon ta menaxhojnë gjendjen e tyre dhe t’i shmangin komplikimet serioze.”
Themeluesja e Tip1omël, Lisa Mehmeti, theksoi se menaxhimi i diabetit të tipit 1 kërkon kujdes të pandërprerë, ditë e natë. “Sensorët për monitorimin e vazhdueshëm të glukozës dhe pompat e insulinës mund të bëjnë një ndryshim të madh, duke u dhënë personave që jetojnë me diabet të tipit 1 më shumë pavarësi dhe qetësi. Askush nuk duhet të përballet me vështirësi financiare për të siguruar teknologjinë që mund ta ndihmojë të ruajë shëndetin dhe sigurinë e vet”, tha ajo.
Në vitin 2025, AMC dhuroi pompa të insulinës dhe materiale të nevojshme për dy vjet për 10 pacientë të rinj që trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Organizata po punon gjithashtu për ta fuqizuar kujdesin në fushën e endokrinologjisë pediatrike përmes Bursës James Strickler, e cila sjell ekspertizë ndërkombëtare mjekësore në Kosovë. Përfituesi i parë i kësaj burse, Dr. Robert Gensure, udhëheqës i Seksionit të Endokrinologjisë Pediatrike në Dartmouth Health, po mbështet përpjekjet për përmirësimin e kujdesit të specializuar për fëmijët në Kosovë.
Në nëntor 2025, AMC dhe Tip1omël parashtruan kërkesë zyrtare për përfshirjen e pompave të insulinës dhe materialeve përcjellëse në Listën e Pajisjeve dhe Materialeve Mjekësore Esenciale të Kosovës. Një muaj më vonë, ato nisën peticionin, duke e zgjeruar kërkesën edhe për përfshirjen e sensorëve CGM.
Që atëherë, të dy organizatat kanë vazhduar fushatën e ndërgjegjësimit përmes publikimeve të rregullta në rrjetet sociale. Në gusht, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) iu bashkua fushatës, duke sjellë mbështetjen e mbi 30 organizatave vendore dhe ndërkombëtare.
Në tetor, AMC dhe Tip1omël organizuan aktivitetin Kafe Llafe në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Përmes Bibliotekës së Gjallë, personat që jetojnë me diabet të tipit 1 dhe familjarët e tyre patën mundësi të ndanin përvojat personale me vizitorët dhe të diskutonin për sfidat e përditshme të menaxhimit të kësaj gjendjeje.
AMC dhe Tip1omël u bëjnë thirrje qytetarëve që ta shënojnë Ditën Botërore të Diabetit duke nënshkruar dhe shpërndarë peticionin, për të rritur mbështetjen për qasje më të mirë në kujdes modern për diabetin në Kosovë.
Nënshkruani peticionin: https://www.change.org/diabetescarekosovo
Burimi i të dhënave të vlerësuara: T1D Index, 2025.

