Dega e partisë Alternativa në Gjakovë ka kritikuar vendimin e Komunës për mbylljen dhe largimin e disa kiosqeve në qytet, duke kërkuar që ky proces të zhvillohet në mënyrë transparente dhe mbi bazë të kritereve të njëjta për të gjithë.
Në reagimin e saj, Alternativa ka thënë se largimi i kiosqeve prek familje që, sipas saj, prej vitesh sigurojnë të ardhura përmes këtyre bizneseve të vogla.
“Rregullimi i hapësirave publike është përgjegjësi institucionale, por ai duhet të bëhet mbi bazën e ligjit, me transparencë dhe me standarde të njëjta për të gjithë qytetarët”, thuhet në reagim.
Alternativa ka kundërshtuar arsyetimin e Komunës se kiosqet po largohen për lirimin e hapësirave publike, duke pretenduar se lokacionet ku ndodhen disa prej tyre janë të parapara në dokumentet e planifikimit urban dhe në draftin e Planit të Mobilitetit.
Sipas kësaj partie, shfrytëzimi i këtyre hapësirave është bërë përmes procedurave dhe vendimeve përkatëse të institucioneve komunale. Për këtë arsye, Alternativa kërkon që çdo ndërhyrje e re të argumentohet në aspektin ligjor dhe institucional.
Partia ka ngritur shqetësime edhe për mënyrën e zbatimit të aksionit, duke pretenduar se masat nuk po aplikohen me të njëjtin standard ndaj të gjithë shfrytëzuesve të hapësirave publike.
“Shqetësim i veçantë mbetet fakti se aksioni nuk po zbatohet me të njëjtin standard ndaj të gjithë shfrytëzuesve të hapësirave publike”, thuhet në reagim.
Në këtë kuadër, Alternativa ka kërkuar sqarime edhe për situatën me kiosqet pranë Spitalit Regjional “Isa Grezda”, duke thënë se nëse kriteri i Komunës është mbrojtja e hapësirave publike, qarkullimi i lirë dhe siguria e qytetarëve, atëherë i njëjti standard duhet të zbatohet në të gjitha pjesët e qytetit.
Alternativa ka kritikuar edhe qeverisjen e kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini, duke përmendur, siç pretendon kjo parti, ndërhyrjet në hapësirat publike, zënien e trotuareve, ndërtimet në hapësira të gjelbra dhe parkingjet private gjatë viteve të qeverisjes së tij.
“Alternativa nuk është kundër rregullimit të qytetit dhe as kundër respektimit të ligjit. Jemi kundër zbatimit selektiv të ligjit, kundër standardeve të dyfishta dhe kundër çdo vendimmarrjeje që mund të prekë në mënyrë të pabarabartë qytetarët”, thuhet më tej në reagim.
Partia opozitare ka kërkuar nga Komuna e Gjakovës që të publikojë bazën ligjore mbi të cilën po zhvillohet aksioni, kriteret për përcaktimin e kiosqeve që preken nga mbyllja, si dhe vendimet përkatëse që lidhen me shfrytëzimin e këtyre hapësirave.
Alternativa ka përfunduar reagimin duke kërkuar zbatim të barabartë të rregullave dhe transparencë në vendimmarrjen komunale. /Telegrafi/