Shqiptari që punonte në fabrikën e Mercedesit në vitet 1970 apo 1980 gëzonte reputacion të lartë në atdhe. Kur kthehej «nga atje», e shikonin me admirim, sidomos kur në krye të katundit shihej në timonin e Mercedesit, nga dritarja gjysmë e hapur dilte tymi i cigareve «HB» dhe jehonte një këngë me çifteli. Mercedesi ishte sinonim i veturës. Disa mendime (paksa nostalgjike) pas lajmit se Mercedesi i ka ndalur investimet në Gjermani dhe po mendon të prodhojë vetura vetëm jashtë Gjermanisë.
Në fund të viteve 1960, Gjermania nisi të rekrutojë punëtorë në Jugosllavinë e atëhershme. Më së shumti u rekrutuan punëtorë në zonat më të varfra të vendit. Në Kosovë, për shembull. Marrëveshja për rekrutimin e punëtorëve («Gastarbeiter») mes Gjermanisë Perëndimore dhe Jugosllavisë u nënshkrua më 12 tetor 1968. Ajo mundësoi rekrutimin e organizuar të punëtorëve nga Jugosllavia për punësim në Gjermaninë Perëndimore.
Zhvillimi i shpejtë ekonomik i Gjermanisë Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore, i njohur si Wirtschaftswunder (mrekullia ekonomike), krijoi mungesë të fuqisë punëtore në industri dhe ndërtim. Gjermania kishte lidhur më herët marrëveshje për rekrutim të punëtorëve me Italinë, më 1955; Spanjën dhe Greqinë, më 1960; Turqinë, më 1961; Marokun, më 1963; Portugalinë, më 1964; Tunizinë, më 1965. Jugosllavia ishte vendi i fundit në këtë seri marrëveshjesh rekrutimi, por i pari nga bota komuniste.
Gjermania Perëndimore i kishte ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Jugosllavinë në vitin 1957, pasi kjo e fundit njohu Gjermaninë Lindore. Marrëdhëniet u rivendosën në janar 1968, ndërsa marrëveshja e rekrutimit u nënshkrua, siç u tha tashmë, në tetor të po atij viti.
Djem të Kosovës, Luginës së Preshevës, Strugës, Tetovës, Kumanovës etj., të gjithë të moshës 20 deri në 30 vjeç, të cilët sapo kishin kryer shërbimin ushtarak në Armatën e Jugosllavisë, merrnin udhën e kurbetit. Me tren. Disa merrnin trenin në Ferizaj, disa në Fushë-Kosovë, disa në Xërxë, disa në Bujanoc, disa në Shkup. Një valixhe me rroba, një çantë me ushqime, shumë duhan, të futur në kuti prej kartoni, ku më parë kishte qenë e palosur një këmishë e blerë pas shumë kursimesh.
Ndërsa pranë tyre – të rehatuar mirë e mirë në vagonë – kalonin fushat e arat e pafundme, ata e hapnin çantën kur i merrte uria, zakonisht pasi treni braktiste stacionin e Beogradit dhe marshonte drejt Zagrebit. Me çdo kilometër të kaluar, shqiptarët ndiheshin më të lirë. E dinin se në Kroaci priteshin (më) mirë, në Slloveni po se po. Mjaftonte një fjalë normale, një mirësjellje nga konduktori dhe çlirimi shpirtëror fillonte me hapjen e një birre, në kanaçe bojëkafe. Tuborg. Kështu quhej atëherë, kështu quhet edhe sot. Punëtori nga Kosova mund të blinte edhe një birrë të ndonjë marke jugosllave, por preferonte Tuborg, sepse ishte nga Danimarka. Shija e parë e Perëndimit.
Pas një udhëtimi të gjatë, ditën tjetër punëtorët zbrisnin në stacionin e trenit në Stuttgart. Viti 1968. Ishin larguar si «punëtorë me punë të përkohshme jashtë vendit» (kështu i quante propaganda komuniste) dhe sot, 58 vjet më vonë, janë pensionistë të Gjermanisë (nëse janë gjallë). Nga punëtorë të përkohshëm u bënë të përhershëm.
Pensioni u vjen me rregull nga Gjermania, sepse ata kanë punuar me zell në fabrikat e Mercedesit në Stuttgart e rrethinë. Kanë krijuar familje, vajzat e djemtë e tyre janë lindur e rritur në Gjermani, disa kanë themeluar ndërmarrje të ndryshme në Gjermani, janë integruar, disa madje janë mbiintegruar, duke u bërë punëdhënës, kontribues të rëndësishëm të ekonomisë gjermane, krenaria e madhe e prindërve të tyre, në radhë të parë, por edhe e tërë komunitetit. Vetëm në landin e Baden-Württembergut, kryeqyteti i të cilit është Stuttgarti, jetojnë rreth 170 mijë shqiptarë të Kosovës. Nëse këtu i llogarisim edhe shqiptarët e viseve të tjera, atëherë numri arrin mbase në mbi 200 mijë, në mos më shumë. Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane numëron rreth 1000 anëtarë, domethënë këta janë pronarë ndërmarrjesh, pra trashëgimtarë të atyre djemve që më 1968, 1969, 1970 u nisën me tren nga Fushë-Kosova drejt Gjermanisë.
Për shumë shqiptarë, puna në Gjermani u bë burim për mbajtjen e familjes dhe shkollimin e fëmijëve; ndërtimin e shtëpive në Kosovë; blerjen e pajisjeve dhe investimet e vogla; krijimin e lidhjeve që më vonë ndihmuan edhe të afërmit të emigronin.
Kthimi në Kosovë mbeti ëndërr, por Kosova është afruar me Gjermaninë: për dy orë nga Stuttgarti arrin në kryeqytetin e Kosovës, çdo ditë, madje disa herë në ditë.
Të gjitha këto mendime m’u sollën nëpër kokë dhe i hodha në letër (kështu thuhet, se në fakt i rendita në laptop) kur pashë dhe lexova lajmin se Mercedesi ka pezulluar investimet në Gjermani pas përplasjes me sindikatat.
«Der Spiegel» madje shkruan se «mundësitë për mbylljen e fabrikave dhe zhvendosjen e mëtejshme të prodhimit jashtë vendit po bëhen më konkrete». A është Mercedesi i prodhuar jashtë Gjermanisë Mercedes? Përgjigjja e shqiptarit që ka filluar punën në Mercedes më 1968 është e qartë: «Jo».

