Të enjten, një ndërprerje e gjerë shërbimi preku platformat e Microsoft-it, përfshirë Outlook-un; shumë përdorues hasën vështirësi në përdorimin e llogarive të tyre të email-it, si dhe gabime të tjera në të gjithë gamën e aplikacioneve të gjigantit teknologjik.
Herët të premten, Microsoft-i njoftoi se masat e marra për të zgjidhur problemin nuk po jepnin rezultatet e pritshme dhe se kompania po punonte për të gjetur zgjidhje alternative, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Kemi monitoruar ecurinë e ndryshimeve të zbatuara për të përmirësuar funksionimin e shërbimit dhe kemi konstatuar se ato nuk po funksionojnë siç pritej. Po identifikojmë strategji të tjera veprimi për të rritur kapacitetin, në kushtet e çekuilibrave të vazhdueshëm në menaxhimin e trafikut”, deklaroi Microsoft-i në një postim në platformën X.
Problemi, të cilin Microsoft-i ia atribuoi një “ngarkese të shtuar” në infrastrukturën e tij, vazhdoi për pjesën më të madhe të ditës së punës në Shtetet e Bashkuara dhe preku gjithashtu produkte të tjera të kompanisë, si Teams dhe asistentin e bazuar në inteligjencën artificiale, Copilot.
Sipas shërbimit të monitorimit “Downdetector”, ndërprerja u përhap në shkallë globale brenda një ore, duke prekur produktet e Microsoft-it në 74 vende dhe territore.
Një hartë e publikuar nga Downdetector në X tregoi se ndërprerja preku përdorues në të gjithë kontinentet amerikane, si dhe në pjesë të Evropës, Azisë dhe Afrikës.
Fillimisht, Microsoft-i deklaroi se po hetonte raportimet për ndërprerje “në kontinentet amerikane”, por më vonë konfirmoi se problemi prekte, në fakt, “lidhjen me shërbimin Microsoft 365 për përdoruesit në çdo rajon”.
Microsoft 365 është shërbimi me abonim i kompanisë, i bazuar në teknologjinë “cloud”, i cili përfshin aplikacione të njohura si Outlook dhe Teams.
“Kemi konstatuar se një pjesë e infrastrukturës po përballet me një ngarkesë të shtuar në rajone të ndryshme, gjë që ka gjasa të jetë shkaku i gabimeve në lidhje”, shkroi kompania në X.
“Po ndërmarrim masa intensive në të gjitha drejtimet për të zbutur ndikimin e këtij problemi”, shtoi ajo. /Telegrafi/

