Hakerë të mbështetur nga shteti i Koresë së Veriut kanë përvetësuar më shumë se 400 milionë dollarë në kriptovaluta, duke përdorur video-thirrje të rreme për të vjedhur identitetin e njerëzve, bëjnë të ditur autoritetet amerikane.
Sipas FBI-së, në 18 muajt e fundit, më shumë se 900 viktima kanë rënë pre e kësaj skeme, të cilën byroja e quan “FaceStealer”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Regjimi i Koresë së Veriut mbështetet te të ardhurat nga vjedhjet në shkallë të gjerë të kriptovalutave për të financuar programin e tij të paligjshëm të armëve, duke vjedhur miliarda dollarë vitet e fundit”, thotë Brett Leatherman, drejtor për çështjet kibernetike në FBI.
Ky njoftim vjen një javë pasi “Binance” – platforma më e madhe në botë për shkëmbimin e kriptovalutave – zbuloi se hakerët kishin përdorur intervista të rreme pune për të vjedhur një shumë rekord prej 6,3 miliardë dollarësh nga kompania.
Agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit ia atribuuan sulmin ndaj “Binance” – që mendohet të jetë vjedhja më e madhe e kriptovalutave deri më sot – aktorëve të lidhur me Korenë e Veriut. Pheniani e ka mohuar këtë pretendim.
Autoritetet thonë se “FaceStealer”, skema më e fundit, “vë në shënjestër në mënyrë agresive” personat që punojnë në sektorët e kriptovalutave dhe “Web3”, veçanërisht ata që merren me zhvillimin dhe mirëmbajtjen e softuerëve me burim të hapur (open-source).
Sipas FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, hakerët e “FaceStealer” përdorin llogari të rreme ose të vjedhura në rrjetet sociale për t’i ftuar viktimat e mundshme në video-thirrje, të cilat zhvillohen përmes versioneve të falsifikuara të platformave si “Zoom”, “Microsoft Teams” dhe “Google Meet”.
Më pas, hakerët shfaqin video të regjistruara paraprakisht të personave që viktima i njeh, për të krijuar përshtypjen e një bisede reale – me ndryshimin se audioja duket sikur ka probleme teknike.
Në ekranin e viktimës shfaqet një mesazh që i kërkon të “rregullojë” audion duke klikuar mbi një lidhje (link).
Ky veprim shkakton shkarkimin e një softueri me qëllim të keq (malware) në pajisjen e viktimës, gjë që u mundëson hakerëve të kenë qasje në listat e kontakteve dhe aplikacionet e saj, duke zgjeruar kështu rrethin e viktimave të mundshme.
Sipas autoriteteve amerikane, hakerët i regjistrojnë fshehurazi këto biseda dhe i përdorin regjistrimet si material për të mashtruar viktima të tjera.
FBI-ja e ka përshkruar “FaceStealer” si “një skemë shumë efektive të inxhinierisë sociale, e aftë për të mashtruar edhe përdoruesit më me përvojë në fushën teknike dhe ata që janë shumë të kujdesshëm për sigurinë kibernetike”.
“Kjo shfrytëzon besimin tonë te platformat e videokonferencave, të cilat janë të pranishme kudo, si dhe te marrëdhëniet personale që ne i vlerësojmë”, tha të enjten në një deklaratë Patrick Grandy, drejtor i asistent i zyrës rajonale të Byrosë në Los Anxhelos.
“Nëse nuk arrini të imagjinoni një skenar ku mund të bini pre e kësaj, atëherë nuk po mendoni mjaftueshëm në mënyrë krijuese”. /Telegrafi/

