Fisnik Asllani nuk do të jetë në dispozicion të Hoffenheimit për ndeshjen hapëse të edicionit të ri në Bundesligë ndaj Kolnit.
Lajmin e ka konfirmuar të premten trajneri i Hoffenheimit, Christian Ilzer, në konferencën për shtyp para ndeshjes.
Sulmuesi kosovar ishte pranë një transferimi te Leipzigu, por marrëveshja mes palëve dështoi në momentet e fundit për shkak të gjendjes së tij fizike.
Pas prishjes së marrëveshjes me Leipzigun, në garë për Asllanin u përmend sërish edhe Dortmundi, ndërsa e ardhmja e sulmuesit 24-vjeçar vazhdon të mbetet e paqartë.
“Fisit i duhet edhe pak kohë për të qenë plotësisht i gatshëm për skuadrën”, ka deklaruar Ilzer.
Trajneri austriak shtoi se Asllani do të rikthehet gradualisht në ngarkesat e plota të stërvitjeve.
“Ai gradualisht do të marrë pjesë më shumë në stërvitje”, theksoi Ilzer.
Asllani i nisi me vonesë përgatitjet për sezonin e ri për shkak të një problemi të vogël në gju.
Në sezonin e kaluar, sulmuesi i Kosovës realizoi 11 gola dhe dhuroi 10 asistime për Hoffenheimin në Bundesliga dhe Kupën e Gjermanisë.
Ndeshja mes Kolnit dhe Hoffenheimit zhvillohet të shtunën nga ora 15:30, ndërsa pjesë e klubit gjerman janë edhe dy futbollistët e tjerë kosovarë, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari.
