Drejtori i GIZ për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, David Oberhuber, ka deklaruar se gjatë viteve të fundit bashkëpunimi gjermano-kosovar ka kaluar nga mbështetja për ndërtimin e institucioneve në periudhën pas luftës drejt zhvillimit ekonomik, inovacionit dhe integrimit evropian.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Oberhuber tha se një nga prioritetet kryesore të GIZ-it ka qenë krijimi i kushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Një nga prioritetet kryesore në vitet e fundit ka qenë diversifikimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës, duke kaluar përtej mbështetjes përmes granteve drejt krijimit të kushteve dhe mundësive më të qëndrueshme ekonomike përmes inovacionit, zhvillimit të aftësive dhe rritjes së sektorit privat”, tha ai për Telegrafin.
Sipas Oberhuberit, një nga shembujt më konkretë të këtij transformimi është Parku për Inovacion dhe Trajnim (ITP) në Prizren, i cili në prill të këtij viti ka arritur vetëqëndrueshmëri financiare.
Ai bëri të ditur se ITP tashmë ofron hapësirë për rreth 500 vende pune të qëndrueshme dhe të paguara mirë, duke kontribuar në transformimin ekonomik dhe digjital të Kosovës.
Oberhuber theksoi se GIZ ka mbështetur gjithashtu procesin e digjitalizimit të shërbimeve publike, përmirësimin e klimës së biznesit dhe përafrimin e standardeve të produkteve kosovare me kërkesat e tregut të Bashkimit Evropian.
“Fokusi ka qenë mbështetja e transformimit të Kosovës në një ekonomi më konkurruese, më të qëndrueshme dhe të orientuar drejt zhvillimit ekonomik”, deklaroi ai.
Sipas tij, partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë ka evoluar ndër vite, ndërsa Kosova po merr gjithnjë e më shumë përgjegjësi dhe po kontribuon financiarisht në projekte të përbashkëta zhvillimore.
